BE: Prokuroria duhet të hetojë e lirë nga ndërhyrjet politike

Peter Stano
Zëdhënësi i Komisionerit Stefan Fyle, Peter Stano, ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e BE-së për hetimet e 21 janarit. Ai ka thënë se prokuroria nuk duhet të vihet në presion dhe duhet të punojë pa u ndikuar nga politika.
Si i vlerësoni zhvillimet e fundit në Shqipëri për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit?
Bashkimi Europian dhe Komisioni Europian e kanë përsëritur disa herë se, në lidhje me ngjarjet fatkeqe të një viti më parë, është e nevojshme të bëhet gjithçka është e mundur për të hedhur dritë mbi çfarë ndodhi, të thuhet qartë cfarë ndodhi dhe që kjo ngjarje të hetohet.
Në mënyrë që të ketë një hetim gjithpërfshirës dhe të pavarur, dhe kjo është shumë thelbësore dhe shumë e rëndësishme, mbi këtë duhet të punojnë autoritetet e duhura shtetërore, që do të thotë zyra e Prokurorit të Përgjithshëm. Dhe që ky hetim gjithpërfshirës dhe i pavarur të jetë i besueshëm, është e nevojshme që ky autoritet, përkatësisht zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, të punojë i lirë nga ndërhyrjet politike.
A pajtoheni me akuzat që erdhën nga zyra e Kryeministrit, se Prokurorja e Përgjithshme është e njëanshme në këtë hetim?
Unë vetëm mund të përsëris që këto ngjarje duhet të hetohen nga autoritetet e duhura plotësisht, në mënyrë gjithpërfshirëse e me pavarësi. Dhe është e rëndësishme që autoritetet që po merren me hetimin e kësaj çështjeje të punojnë të lirë nga çdo ndërhyrje politike. Kjo është shumë e rëndësishme. Që kjo punë të jetë gjithëpërfshirëse dhe e besueshme, nevojitet që puna e zyrës së prokurorisë të jetë e lirë nga çfarëdo lloj ndërhyrje politike.
Duke patur parasysh aspiratën e Shqipërisë për tu anëtarësuar në BE, si e shihni mbështetjen zyrtare të SHBAve në këtë hetim?
Sigurisht që ne nuk komentojmë mbi mbështetjen individuale të vendeve individuale. Por në përgjithësi ne e shohim si një zhvillim pozitiv përpjekjen e gjyqësorit për të hetuar dhe për tu marrë jo vetëm me vrasjet por edhe me nxitjen e dhunës gjatë ngjarjeve të vitit të kaluar. Ne e kemi thënë gjatë gjithë kohës se nëse kanë në dorë një ekspertizë të huaj të besueshme, atëherë kjo është e dobishme dhe e këshillueshme që një ekspertizë e tillë të përdoret.
Sa e rëndësishme është për rrugën europiane të Shqipërisë vënia e drejtësisë jo vetëm për këtë ngjarje tragjike, por edhe për shpërthimin e Gërdecit ku 26 persona gjetën vdekjen katër vjetë më parë?
Pa qenë i aftë të komentoj për çdo incident të veçantë, ne sigurisht theksojmë rëndësinë e hetimit të çdo ngjarjeje. Unë mund tju them se ajo që ka rëndësi për BE-në është rendi ligjor dhe gjyqësori. Këto janë fusha shumë të rëndësishme dhe rendi ligjor është shumë i rëndësishëm për Bashkimin Europian dhe Komisionin Europian. Dhe sigurisht që Komisioni po ndjek çdo përpjekje, çdo hap dhe çdo reformë në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, pasi sundimi i ligjit është një parim shumë i rëndësishëm për BE-në, veçanërisht gjatë procesit të integrimit. Kjo sepse gjithçka varet apo është e lidhur me parimet dhe vlerat europiane dhe është shumë e rëndësishme të garantohet se liritë dhe të drejtat e qytetarëve bazohen në standartet europiane. Është e rëndësishme që rendi ligjor, në çdo shtet që aspiron anëtarësimin, të arrijë në nivelet e standarteve të Bashkimit Europian. Pjesë e kësaj është një gjyqësor i pavarur, ashtu siç është një pjesë tjetër edhe hetimi i çdo ngjarjeje që përfshin shkeljen e të drejtave të qytetarëve, kur njerëzit lëndohen apo kur njerëzit vriten.
Arta Tozaj, TCH