E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, Rama: Shqipëria të kërkojë statusin e kandidatit

 

PS do nxisë qeverinë që në vjeshtën e ardhshme të aplikojë për të marrë statusin e shtetit kandidat

TIRANË- Partia Socialiste do të nxisë qeverinë që në vjeshtën e ardhshme të aplikojë për të marrë statusin e shtetit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian. Kjo nismë është njoftuar nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, gjatë fjalës së tij të mbajtur në aktivitetin e organizuar në Bruksel nga European Policy Center (Qendra e Politikave Evropiane), me temë: "Shqipëria përpara portave të NATO-s dhe të BE-së, mes miteve dhe realiteteve". Objekt i diskutimeve të kësaj konference ishin dinamikat e integrimit Euro-Atlantik të Shqipërisë dhe pengesat që duhen kapërcyer deri në destinacionin final ndër të cilat korrupsioni, krimi i organizuar dhe trafiqet ilegale. Duke përshëndetur këtë aktivitet, kryesocialisti Edi Rama theksoi domosdoshmërinë dhe detyrimet që i lindin vendit tonë për të përshpejtuar hapat integruese. "Do të nxisim qeverinë që të aplikojë për statusin e kandidatit, që Shqipëria të ketë statusin e kandidatit duke filluar nga vjeshta e ardhshme", - u shpreh Rama gjatë këtij takimi. Ai edhe një herë ka vënë theksin tek kontributi që duhet të japin të gjithë shqiptarët, dhe klasa politike në veçanti në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë tek partnerët ndërkombëtarë. "Dua të vë në pah rolin e madh që ka opozita në transformimin rrënjësor të imazhit të Shqipërisë dhe në paraqitjen e interesave të shqiptarëve dhe të shqiptareve përtej interesave politike të ditës. Pata fatin që të shpreh përpara një audience mjaft të rëndësishme këtu në zemër të strukturave evropiane bindjen time dhe vetëdijen se ne duhet me patjetër ta nxisim procesin e integrimit duke përshpejtuar hapat", - u shpreh Rama pas takimit. Në këtë takim merrnin pjesë dhe përfaqësuesi i G 99, Erion Veliaj, ambasadori i Shqipërisë në NATO, Artur Kuko, përfaqësuesi i European Stability Initiative, Gerald Knauss si dhe drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme së Zgjerimit në Komisionin Europian, Michael Leigh. "Në sfidat e reja që e presin vendin deri në anëtarësim të plotë të Shqipërisë në BE, qytetarët shqiptarë duhet të jenë më të informuar dhe më të përfshirë," - tha Veliaj gjatë këtij takimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›