E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, Sequi: Rekomandimet, bazë për raportin e tetorit

Shefi i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë komenton raportin e ODIHR-it. Sequi u bën thirrje partive të zbatojnë rekomandimet

Bashkimi Europian i bëri thirrje dje klasës politike në Shqipëri të zbatojë rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet administrative të 8 Majit. Shefi i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, shfrytëzoi një takim në Qendrën Europiane të Informimit në Shkodër për të dhënë këtë mesazh.

“Të dyja palët dhe, mund të themi që të gjithë, po thonë që raportimet e OSBE-ODIHR janë të rëndësishme dhe se rekomandimet duhen zbatuar”, u shpreh Sequi. Ka një marrëveshje, vijoi ambasadori Sequi, që rekomandimet e OSBE-ODIHR duhen zbatuar dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që kjo marrëveshje të zbatohet. Diplomati italian kujtoi se raporti është publikuar dhe Komisioni Europian do të marrë në konsideratë, në mënyrë të qartë, rekomandimet e OSBE-ODIHR për sa i përket hartimit të Raportit të Progresit, i cili do t’i dorëzohet Ministrisë së Jashtme më 12 tetor. Duke pasur parasysh vlerësimet e bëra nga dy forcat kryesore politike, menjëherë pas publikimit të Raportit të OSBE-ODIHR mbi zgjedhjet e 8 Majit, ambasadori i Delegacionit të BE në Shqipëri, Ettore Sequi, u kujtoi forcave politike që të presin vlerësimet e Raportit të Progresit, raport i cili do të publikohet në muajin tetor dhe do të vlerësojë zbatimin e detyrave që i janë lënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt Europës. “Mendoj që duhet të presim për Raportin e Progresit, në mënyrë që të japim një vlerësim koherent. Me qëllim që Shqipëria të ecë drejt Europës, një numër çështjesh, që janë të rëndësishme, duhen marrë parasysh. Në radhë të parë, duhet konsideruar çështja e integrimit europian, si çështje e interesit dhe prioritet kombëtar. Ajo çfarë kërkohet, është se duhet një angazhim i plotë dhe i fortë nga forcat politike shqiptare për zbatimin e të gjitha prioriteteve që Komisioni Europian ka përcaktuar për Shqipërinë, kjo në mënyrë që ajo të ecë përpara. Dhe, siç e kam përsëritur edhe më parë dhe që dua ta përsëris edhe tani, është e domosdoshme që të rifillojë dialogu politik në Shqipëri”, këmbënguli Sequi. Komisioni Europian tanimë ka njoftuar se në tetor do të shpallë raportin vjetor të progresit, duke skanuar zhvillimet politike të një viti. Në opinionin e publikuar vitin e kaluar klasës politike iu vendosën 12 prioritete të qarta, të cilat duhet t’i realizonte si kusht për të shënuar një hap përpara në procesin e integrimit europian. Hap që thënë ndryshe do të ishte marrja e statusit zyrtar kandidat për anëtar të Bashkimit Europian. Një pjesë e rëndësishme e këtyre rekomandimeve kishin të bënin me situatën politike dhe kapërcimin e ngërçit që u krijua pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit të vitit 2009. Fatkeqësisht klasa politike në Shqipëri përveç ka thelluar mosmarrëveshjet nuk ka arritur që të plotësojë kriteret kryesore që kanë të bëjnë me rikthimin e dialogut politik, funksionimin e plotë të Parlamentit apo miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Partia kryesore e opozitës që prej vitit 2009 nuk ka votuar asnjë ligj që kërkon këtë shumicë të cilësuar dhe pjesën më të madhe të kohës ka ndjekur strategjinë e bojkotimit të punimeve të Kuvendit. Mospërmbushja e këtyre kritereve që konsiderohen parësore ka gjasa që të sjellë një raport progresi me nota jo fort pozitive e që sërish Brukseli do t’i kërkojë politikës shqiptarë rikthimin te tryeza e dialogut dhe realizimin e reformave të domosdoshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›