E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Kursi i ri i Ramës në test, të distancohet nga radikalët në PS

Deputeti Kastriot Islami e cilëson raportin e OSBE/ODIHR-it si realist, të balancuar dhe frymëzues për reformën zgjedhore, për të cilën thotë se do të jetë e pakushtëzuar. Mbështet “kthesën” e Ramës dhe e këshillon të distancohet prej radikalëve në PS. “Rama duhet përshëndetur për këtë pendesë të tij: pra, për të hequr dorë nga organizimi i protestave dhe për të realizuar një qasje paqësore në veprimet politike të PS-së. Mbeten për t’u monitoruar veprimet në vijim”

Intervistoi: Fejzi Braushi

Raport realist, objektiv, i balancuar dhe frymëzues për reformën zgjedhore. Kështu e ka vlerësuar sekretari për çështjet elektorale në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, raportin e publikuar nga ODIHR për zgjedhjet vendore të 8 Majit. Në një intervistë për gazetën MAPO, Islami teksa e konsideron të papërshtatshme rrugën që gjeti kreu i opozitës për të reaguar për këtë raport, shprehet se në këtë dokument vlerësimi për zgjedhjet “ka momente për të cilat nënkuptohet progres, stanjacion apo në ndonjë rast edhe regres”. Islami ka komentuar edhe qëndrimet e fundit të shprehura nga kreu i opozitës, Edi Rama, për një qasje të re politike të PS-së, duke e mbështetur atë si rrugën e duhur.

Z. Islami, para dy ditësh ODIHR publikoi raportin përfundimtar për zgjedhjet vendore të 8 Majit. Dy partitë kryesore në vend kanë bërë interpretime të ndryshme të tij. Ju, në përgjithësi, si do ta vlerësonit?

Në reagimet e të dyja partive kryesore për raportin e OSBE/ODIHR ka një pikë të përbashkët, në të dy rastet vlerësimi i tyre është se “raporti është realist”. Unë bie dakord me këtë vlerësim të tyre. Në vlerësimin tim, raporti është objektiv, i balancuar, i detajuar dhe orientues e frymëzues për kryerjen e një reforme të plotë, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë në përputhje të plotë me angazhimet e OSBE dhe standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Duke njohur shumë mirë mënyrën sesi funksionon dhe harton raportet ODIHR, është e rëndësishme të vë në evidencë faktin se në të gjithë raportet e ODIHR ruhet koherenca kohore dhe vendore që lidhet me profesionalizimin, integritetin dhe seriozitetin e kësaj organizate dhe të ekspertëve të saj. Tentativat për të gjetur inkoherenca midis raporteve në kohë të ndryshme apo integritete të ndryshme midis ekspertëve apo drejtuesve të ekipeve, është shprehje e naivitetit dhe injorancës për mënyrën e funksionimit të kësaj organizate. Nuk më çudit po ashtu fakti që palët e ndryshme theksojnë pjesë të ndryshme të raportit, pikërisht ato pjesë që u interesojnë. Po ashtu, në deklaratat e palëve ka edhe retorikë, diku më shumë e diku më pak, me karakter politik në funksion të “ushqimit” të militantëve me “bukën politike të ditës”. Duhet pranuar se mazhoranca u tregua më serioze duke reaguar dhe marrë angazhime, menjëherë pas publikimit, përmes Kryeministrit, kurse opozita reagoi me vonesë dhe një stil e “protokoll” të papërshtatshëm.

A jep, sipas jush, raporti një vlerësim më pozitiv apo negativ për zgjedhjet në Shqipëri, duke krahasuar atë me zgjedhjet pararendëse?

Raporti nuk shprehet vetë në trajtë eksplicite për progres apo regres, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, sepse, mesa duket, hapësira midis vlerësimit të cilësisë së zgjedhjeve më 2009 dhe 2011 ka qenë aq e ngushtë sa për të qenë lehtësisht e kuantifikueshme. Në raport ka momente për të cilat nënkuptohet progres, stanjacion apo në ndonjë rast edhe regres. Në mënyrë implicite, në paragrafin e parë kur fillon të flitet për rekomandimet (nën)kuptohet se “standardet duhen arritur plotësisht në zgjedhjet e ardhshme...”, pra, që do të thotë se edhe këtë radhë “standardet nuk janë arritur plotësisht”, por pa mundur të thuhet nëse distanca është më e madhe apo më e vogël nga plotësimi i standardeve demokratike, krahasuar me ato të zgjedhjeve të vitit 2009.

Fakti që raporti evidenton se procesi i numërimit të votave të gabuara ishte i paparashikuar në legjislacion, e bënë këtë proces joligjor dhe produktin e tij jolegjitim, siç edhe po komentohet nga PS?

Nuk më lejohet, si ekspert i zgjedhjeve dhe i hartimit të raporteve për zgjedhjet, të nxjerr përfundime që vetë raporti nuk i ka nxjerrë; nëse një gjë e tillë do të kishte qenë e vërtetë, atëeherë kjo do të ishte artikuluar qartësisht dhe me forcë në raport. Po ashtu, termi “jolegjitimitet” nuk rezulton të jetë prezent në raport dhe mungesa e tij nuk do të thotë që ai të nënkuptohet se ekziston. Në raport flitet edhe në rastet më kritike ose për parregullsi në procesin zgjedhor, por jo për manipulime (frauds) elektorale, që janë normale edhe gjatë vlerësimit të zgjedhjeve në vendet e tjera demokratike ose për probleme proceduriale te vendimmarrjeve, por asnjëherë për thelbin e tyre.

Në raport thuhet gjithashtu se duhet të ndryshojë formula e KQZ? Cila mendon se mund të ishte formula më e mirë e kompozimit të KQZ?

Në radhë të parë duhet sqaruar përse në raport jepet një rekomandim për të “ndryshuar formulën e përbërjes së KQZ”. Kjo gjë thuhet në trajtë të qartë, në rekomandimin nr. 3:

“formula e përbërjes së KQZ duhet të ndryshojë për të rritur besimin në pavarësinë e tij dhe zbatimin e paanshëm të Kodit Zgjedhor”. Dhe kjo situatë duket se ka ardhur nga fakti që përbërja e KQZ është politike dhe mosfunksionimi normal apo imparcial nga fakti që veprimtaria e tij ka qenë e politizuar. Përsa i përket zgjidhjes për formulën e përbërjes së KQZ, mund të ketë shumë variante dhe gjykoj se është ende shpejt për të dhënë ide, sidomos pa ndërtuar fillimisht klimën e besimit reciprok e të bashkëpunimit.

Përmbajtja e këtij raporti, a i jep të drejtën morale opozitës që për të balancuar ato që në këtë proces zgjedhor nuk shkuan mirë, të mund të kërkojë nga mazhoranca koncesion politik në çështje të tjera. Kam parasysh kushtëzimin që opozita i ka bërë reformave me ndryshimet kushtetuese apo edhe zgjedhja e Presidentit?

Rekomandimi i OSBE/ODHIR dhe shumë shpejt edhe i Komisionit Europian do të jenë për kryerjen e reformës zgjedhore në mënyrë të pakushtëzuar. Ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhja e Presidentit nuk besoj të jenë dhe nuk do të jenë pjesë e rekomandimeve të organizmave ndërkombëtarë dhe as të lidhura me kërkesën për reformën zgjedhore. Bashkëndaj me ta të njëjtin opinion dhe shpresoj që Rama do ta kuptojë këtë gjë dhe do të mirëpërshtatet.

Zoti Islami, fill pas raportit, kreu i opozitës Edi Rama deklaroi nëpërmjet një editoriali të publikuar në media, se është për një qasje paqësore në opozitëbërje, duke shprehur keqardhje për ata që kanë menduar ndryshe. Si e shihni këtë qëndrim të ri të Ramës? A përbën ai një kurs të ri në drejtimin e PS-së dhe a kemi të bëjmë me një “pendesë” për gjithë sa opozita ka bërë gjatë këtyre dy viteve?

Rama duhet përshëndetur për këtë pendesë të tij: kjo do të ishte pendesë e vërtetë dhe jo ajo për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit: pra për të hequr dorë nga organizimi i protestave dhe për të realizuar një qasje paqësore në veprimet politike të PS. Për të thënë të vërtetën, Rama ishte drejtuesi i “anormalitetit” gjatë dy viteve dhe jesmenët i thonin Ramës, pikërisht atë që Rama dëshironte. Vetëm ne që mendonin ndryshe, pra që ishim kundër “anormalitetit” dhe veprimeve jashtë e kundër sistemit, ia thamë të vërtetën në sy (atëherë dhe sot nuk ndien keqardhje për ne) dhe tani ndihemi të lumtur që Rama erdhi tek opsioni ynë. Rama bën mirë që shpreh minimalisht keqardhje për të gjithë ata që vazhdojnë të mendojnë ndryshe (siç thotë ai vetë, për vazhduesit e radikalizmit), pra për ata që edhe sot janë kundër qasjes paqësore; por, përveç keqardhjes me fjalë, Rama duhet të distancohet realisht prej tyre me veprime të sinqerta. Unë nuk dua të bëj në këtë moment skeptikun, por më duhet të them se Rama është në test (për faktin se jo vetëm shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët kanë shumë rezerva për inkoherencën midis fjalëve dhe veprimeve të Ramës), nëse kjo që ka thënë është një bllof taktik apo një reflektim i sinqertë që do të shoqërohet me veprime konstruktive për fitimin e statusit të vendit kandidat në BE. Mbeten për t’u “monitoruar” veprimet në vijim, por sidoqoftë, në këtë moment, kjo “kthesë”, qoftë edhe në retorikë, duhet vlerësuar, përshëndetur dhe mbështetur.

Si do ta konsideronit mënyrën sesi u soll PS për mbrojtjen e votës dhe rezultatin e zgjedhjeve, kryesisht në Tiranë? Ku gaboi opozita në këtë garë?

Do të përgjigjem shumë shkurt. As më 2005, as më 2007 (me zgjedhjen e Presidentit), as më 2009 dhe as më 2011, PS nuk ka humbur betejat elektorale për shkaqe administrative, ajo i ka humbur ato kryesisht për arsye politike, që natyrisht “bëjnë përgjegjës vetëm Ramën, si të parin midis të barabartëve”, formulë kjo e shpikur nga vetë Rama më 2005, kur kërkonte të bënte përgjegjës Nanon për humbjen e zgjedhjeve të vitit 2005. Dhe arsyen e arsyeve të humbjes, Rama më 2005 përcaktonte “përçarjen e së majtës”: kjo mbetet arsyeja themelore edhe për 2009-n, edhe për 2011-n, por edhe për 2007-n. Dhe nëse Rama nuk reflekton sinqerisht, kjo mund të jetë arsyeja e humbjes edhe më 2013, gjë që nuk do ta dëshiroja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›