E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kume: Vështirë të gjendet formula ideale për KQZ-në

Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, deklaron se është e vështirë që të gjenden formula të tilla të kompozimit të këtij institucioni, të cilat të mund të jenë faktori deciziv për të zgjidhur problematikën zgjedhore. “Mundet të gjenden mekanizma të tjerë, të cilët për shembull: le të bien dakord e të vendosin në Kod që KQZ të mos ketë të drejtën të marrë vendime me shumicë të thjeshtë, cilidoqoftë vendimi objekt i mbledhjes së komisionit. Pra, çdo vendim i tij të jetë me shumicë të cilësuar”, u shpreh Kume. Një prej 27 rekomandimeve të listuara në raportin e publikuar së fundi nga misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it thuhej se duhet parë mundësia për rikonceptimin e kompozimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim garantimin e besimit te veprimi i paanshëm dhe në respekt të Kodit Zgjedhor. Raporti i OSBE/ODIHR-it ka rreshtuar 27 rekomandime për autoritetet shqiptarë, partitë politike dhe administratën zgjedhore. Shumica e rekomandimeve përfshijnë ato të raportit të vitit 2009, por edhe vlerësimet e opinionit të Komisionit të Venecias në të njëjtin vit. Së pari, misioni kërkon nga partitë politike që të vendosin si prioritet demonstrimin e vullnetit politik për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike dhe në përputhje me standardet zgjedhore. U kërkohet gjithashtu partive të bëjnë detyrën e tyre në interes të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›