E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Serbia të mos i keqinterpreton marrëveshjet

Zyrtarë të Bashkimit Evropian ia kanë tërhequr vërejtjen Beogradit zyrtar që të mos i keqinterpretojë marrëveshjet e arritura me Kosovën në procesion e dialogimit.

Ky reagim i Brukselit zyrtar ka ardhur pas deklaratave që i ka bërë shefi i delegacionit serb të bisedimeve, Borko Stefanovic, sipas të cilit pjesa veriore e Kosovës nuk përfshihet në marrëveshje për lëvizje të lirë, dhe fusnota duhet të jetë e obligueshme para tavolinës së Prishtinës nëpër takimet rajonale, shkruan gazeta Zëri.

“Beogradi nuk do të marrë pjesë në takimet rajonale, nëse Kosova nuk paraqet para saj përmbajtjen e fusnotës, që është Rezoluta 1244 dhe mendimi i GJND-së”, ka thënë Stefanovic për mediet serbe.

Mirëpo, Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes për politikë të jashtme të BE-së, ka thënë se Serbia qëllimisht po i keqinterpreton marrëveshjet e arritura. Sipas saj, përmbajtja e marrëveshjeve është shumë e qartë dhe të dyja palët duhet t’i përmbahen ashtu siç janë.

Ajo thotë se nuk qëndrojnë deklaratat e zyrtarëve serbë, se kinse veriu nuk përfshihet në marrëveshje për lëvizje të lirë.

“Të gjitha marrëveshjet përfshijnë gjithë territorin e Kosovës, nuk ka ndarje gjeografike”, tha Maja Kocijancic.

Ndërsa sa i përket fusnotës, Kocijancic thotë se marrëveshja e lejon që përmbajtja e fusnotës të vendoset aty ku duan vetë organizatorët e takimeve rajonale.

“Prej fillimit kemi qenë shumë të qartë. Fusnota ekziston, por përmbajta e saj, kemi thënë që mund të paraqitet aty ku e vlerësojnë vetë organizatorët e takimeve rajonale”, tha Kocijancic.

Ajo u bëri thirrje palëve që t’u përmbahen marrëveshjeve. Sipas saj, për të parë implementimin e këtyre marrëveshjeve, javën e ardhshme do të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën, Robert Cooper, ndërmjetësuesi i bisedimeve nga BE.

Edhe ky i fundit, njëjtë pati akuzuar para disa ditësh Serbinë që po e keqinterpreton marrëveshjen për fusnotën.

Pavarësisht kësaj, zyrtarë nga Serbia insistojnë që Beogradi ka të drejtë për atë që e thotë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›