E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Islame do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën

Në kuadër të agjendës së tij në Arabinë Saudite, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, u takua me drejtorin e Bankës Islame për Zhvillim (BIZH), Ahmed Muhamed Ali.

Drejtori i BIZH-it u zotua se institucioni që përfaqëson, do të kontribuojë në financimin e projekteve të ndryshme kapitale të Kosovës. Ai premtoi se ky institucion do të kontribuojë në ndërtimin e projektit për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Mitrovicë, projekte për sistemin e ujitjes dhe ato që kanë të bëjnë me Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës.

Kosova është në pritje të shfrytëzimit të shumës prej 27 milionë dollarësh, pjesë e një fondi të ndarë menjëherë pas luftës për Kosovën nga BIZH. Drejtori i kësaj banke, u zotua se shumë shpejt do të ndahen mjetet në fjalë, njofton Zyra e Kryeministrit.

Kosova, pavarësisht se nuk është anëtare e BIZH-it, do të vazhdojë të mbështetet nga ky institucion bankar, theksoi Ahmed Muhamed Ali.

Ndërsa, kryeminitri Thaçi e falënderoi drejtorin e BIZH-ut për mbështetjen dhe ndihmat që i ka dhënë Kosovës, si dhe shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit me këtë bankë dhe mundësinë e marrjes së ndonjë kredie të butë afatgjatë.

Banka Islame për Zhvillim ka 56 vende anëtare. Qëllimi kryesor i bankës është dhënia e kredive e granteve për projekte të ndryshme, që do të sigurojnë zhvillim ekonomik dhe social.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli u prit sot edhe nga përfaqësuesit e Odës së Tregtisë dhe Industrisë së Jeddas.

Sekretari i Përgjithshëm i OTI-së, Adnan Mandouroh, i uroi mirëseardhje kryemnistrit Thaçi dhe në emër të përfaqësuesve të biznesit të OTT- së shprehu konsideratë të lartë, duke konstatuar se prezenca e delegacionit të nivelit të lartë shtetëror të Kosovës për OTI e Jeddas është ngjarje e veçantë.

Para përfaqësuesve të OTI-së, kryeministri Thaçi e pasqyroi gjendjen e sigurisë dhe të legjislacionit në Kosovë, dhe më këtë rast ftoi investitorët dhe biznesmenët nga Arabia Saudite që ta vizitojnë Kosovën si vend të mundësive të mëdha.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›