E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE Shqiperia progres ne plotesimin e 12 prioriteteve

Ministrja e Jashtme e Qipros, Erato Kozakou-Markoullis pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE bëri me dije konkluzionet mbi pritshmëritë lidhur me procesin e zgjerimit. 
“Mirëpresim progresin e bërë nga Shqipëria për të plotësuar 12 prioritetet. Vlerësojmë rekomandimin për dhënien e statusit të vendit kandidat, e lidhur me funksionimin demokratik të institucioneve, zgjedhjet e 2013 janë të rëndësishme. Për dhënien e statusit ftojmë komisionin të vlerësojë progresin e bërë deri më tani nga Shqipëria”, vlerësoi ministrja e jashtme e Qipros, që mban dhe Presidencën e rradhës së BE-së.   
Ndërkohë që sipas komisionerit për zgjerimin në BE, Stefan Fyle mesazhet për Shqipërinë nga Këshilli vijnë krejtësisht të qarta,duke pasur  në thelb pikërisht realizimin e kërkesave që do të mundësojnë marrjen e statusit. 
“Mesazhet e Këshillit për Shqipërinë shumë të qarta. Njohja e punës së madhe të bërë deri tani. Por ka një inkurajim të palëve që të mbeten të angazhuar në plotësimin e reformave. Dyert e BE do të jenë të hapura me qëllim që palët të vijojë me momentin e reformave, me plotësimin e kërkesave. Në këtë rast u bëj apel politikanëve të vazhdojnë dialogun dhe të mos pengojnë axhendën europiane, duke e kthyer atë në funksion të interesave të tyre partiake”, vlerësoi Fyle, gjatë publikimit të konkluzioneve. 
Por Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE listoi dhe konkluzionet për vendet e tjera që synojnë aderimin në këtë aleancë. Sipas Fyles, Turqi ka progres në disa fusha, por duhen negociata të besueshme Turqi-Qipro.
Një lajm pozitiv vjen për Maqedoninë. Fyle deklaroi se negociatat do të hapen në verën e 2013.
Ndërkohë që Serbia duhet të vijojë dialogun me Kosovën, duke normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. Njëkohësisht, sipas Këshillit, Serbia duhet të përmbushë kriteret politike.
Një tjetër vend ishte dhe shteti i Kosovës, ku sipas Fyles, Këshilli ka lajme pozitive për të, pasi negociatat e MSA do të nisin pas fizibilitetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›