E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Të nisë reforma zgjedhore

BE-ja kërkon reformë në ligjin për zgjedhjet për të hequr dyshimet mbi procesin e numërimit.

“Natyrisht, ne kemi vijuar t'i ndjekim nga afër zgjedhjet lokale të 8 Majit, madje zhvillimet i kemi diskutuar dhe në Këshillin e ministrave të Jashtëm në qershor. Këshilli vuri në dukje me shqetësim polarizimin e situatës. Së fundmi, këtë javë aktualisht, kemi marrë të reja mbi vendimin e Kolegjit Zgjedhor e veçanërisht për argumentimin e dhënë, gjë e cila na mungonte javën e kaluar dhe me të cilin as nuk u ngritën dhe as nuk u fshinë dyshimet tona mbi procedurat që u përdorën për numërimin e votave. Ne besojmë se çfarë nevojitet të ndodhë tani është një reformë e ligjit mbi zgjedhjet dhe e kuadrit legjislativ që lidhet me to. Nevojitet që kjo të bëhet në transparencë të plotë e në mënyrë gjithëpërfshirëse”, ka deklaruar Maja Kocijancic, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Në këtë kontekst, BE-ja mbështet idenë e konsultimit të Komisionit të Venecias. “Ne, si Bashkim Evropian, kemi mbështetur gjithashtu propozimin e Këshillit të Evropës që kjo çështje t'i jepet për konsultim Komisionit të Venecias, në mënyrë të tillë që të sigurohemi se raste të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen”, ka nënvizuar Kocijancic për tv TCH.

BE përsërit thirrjen për krijimin e kushteve për dialog politik, me fokus në reforma dhe drejt të ardhmes evropiane. Vlerësimi për tërësinë e procesit zgjedhor pritet të publikohet në raportin e progresit të Shqipërisë në tetor, pas leximit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR. /Start/

                                                                                             2011-07-17 15:09
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›