BE dhe SHBA kritika të mëdha Turqisë

(E plotësuar) BE dhe SHBA kritikuan dhunën e forcave të sigurisë mbi demonstruesit. Bashkimi Evropian ka kritikuar mënyrën e reagimit të policisë turke ndaj demonstruesve.
E ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Catherine Ashton foli të dielën në mbrëmje në një deklaratë për "përdorim dhune të tepruar nga pjesëtarë të policisë turke".
Përballë numrit të madh të të lënduarve në protesta kryediplomatja e BE-së shprehu shqetësim të thellë. Në të njëjtën kohë Ashton bëri thirrje për zgjidhje paqësore të konfliktit.
Të gjitha palët duhet të përpiqen të vetëpërmbahen dhe të kërkojnë dialogun. Me nota të ngjashme kritike u shpreh edhe një zëdhënëse e qeverisë amerikane.
Demonstruesit paqësorë janë shprehje e formimit të mendimi në një demokraci, për këtë arsye SHBA pret vetëpërmbajtja nga forcat turke të sigurisë, tha zëdhënësja.
Të dyja palët duhet të angazhohen për qetësimin e situatës dhe të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje. Në protestat kundër qeverisë turke të dielën në mbrëmje pati sërish përleshje mes demonstruesve dhe forcave të policisë.
---
Nuk ka të pushuar ende dhuna në Turqi, që tani hyn në ditën e katërt të revoltave dhe numërohen viktimat e para. Një taksist është lëshuar kundër turmës, që kishte bllokuar rrugën kryesore në Stamboll, duke shkaktuar vdekjen e një 20 vjeçari dhe plagosjen e 4 personave. Lajmi është bërë i ditur nga organizata e mjekëve turq “Tbb”.
Ndërkaq numri i të arrestuarve ka arritur mbi 1700.
Pak më parë u konfirmua edhe një tjetër viktimë në Ankara. Një i ri, i cili ishte bashkuar protestuesve kundër qeverisë së Rexhep Erdogan është qëlluar në kokë me armë zjarri. Doktorët bëjnë të ditur se i riu ndodhet në vdekje klinike.
Protestat nisën që prej 4 ditësh, si një çështje lokale kundër një plani konstruktiv në sheshin kryesor të Stambollit, të cilat u kthyen më pas kundër qeverisë së Erdoganit. Në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë, protestuesit kanë sulmuar duke I vënë zjarrin edhe disa zyrave të partisë islamike AKP të kryeministrit Erdogan.
Në mëngjes, Erdogan, para se të nisej për një vizitë zyrtare në Marok, tha se shërbimet sekrete turke po hetojnë incidentet e fundit në sheshin Taksim nëse kanë lidhje me fuqitë e huaja. Nga ana e tij, presidenti turk Abdullah Gyl, gjatë një konferencë shtypi në Ankara tha, duke komentuar protestat e dhunshme, se demokracia nuk do të thotë zgjedhje të reja. Do të bëhet ç’është e nevojshme. Gjithashtu presidenti bëri thirrje për qetësi dhe shprehu shqetësimin e tij pasi disa organizata ilegale janë infiltruar në protesta./Indeksonline./