E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE do të shfaqet e njehsuar në Samitin e Klimës

Drejtuesit e vendeve të BE-së ranë dakord që të japin kontributin e tyre në fondin që u nevojitet vendeve në zhvillim për t'u përshtatur ndaj ndryshimeve të klimës, që do të jetë rreth 150 miliardë dollarë në vit.

Megjithatë, në këtë marrëveshje nuk thuhet se cili do të jetë kontributi konkret i Bashkimit Evropian në këtë fond.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, e bëri të qartë se kjo ofertë nuk ishte një 'çek i bardhë' dhe shtoi se edhe të tjerët duhet të luanin rolin e tyre.

Gjatë takimit të tyre në Bruksel, udhëheqësit evropianë kanë diskutuar jozyrtarisht edhe për postet e reja që do të krijohen në përputhje me Traktatin e Lisbonës.

Mësohet se, pavarësisht nga spekulimet e medias, ish-kryeministri britanik Toni Bler nuk gëzon përkrahjen e duhur për të marrë postin e presidentit të Bashkimit Evropian.

Vendimi përfundimtar për kandidaturat për këtë post dhe atë të shefit të politikës së jashtme, do të merret pas miratimit të Traktatit të Lisbonës.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›