BE-ja dënon numrin “e paprecedentë” të raketave të lëshuara nga Koreja e Veriut

Bashkimi Evropian dënoi sot numrin e shtuar të raketave të lëshuara nga Koreja e Veriut, si dhe bëri thirrje për një “përgjigje vendimtare dhe të unifikuar” në nivel global, duke përfshirë edhe zbatimin e të gjitha sanksioneve të vendosura nga OKB-ja.
“BE-ja e shikon numrin “e paprecedentë” të raketave të lëshuara, duke përfshirë edhe një raketë balistike ndërkontinentale dhe raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, si një “përshkallëzim të rrezikshëm” nga Pheniani”- tha nëpërmjet një deklarate shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Bashkimi Evropian u bën thirrje Shteteve Anëtare të Kombeve të Bashkuara, në veçanti anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që të sigurojnë zbatimin e plotë të sanksioneve, për ta bllokuar Republikën Popullore Demokratike të Koresë nga marrja e materialeve, njohurive dhe financimeve, që mbështesin armatimet dhe programet e saj”,- shtohet më tej në deklaratë.
Sipas deklaratës, “numri i paprecedentë i raketave balistike të lëshuara nga Koreja e Veriut në vitin 2022, përfaqëson një ilustrim shqetësues të synimeve të saj për të vazhduar që të rrezikojë rendin global të mospërhapjes” së armëve bërthamore.
“Kjo përbën një kërcënim serioz për të gjitha vendet, si dhe minon paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”,-thuhet në deklaratë.
BE nënvizoi se veprimet e Koresë së Veriut “nuk do të mund dhe nuk do t’i japin kurrë statusin e një shteti me armë bërthamore”, sipas Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore, “ose ndonjë status tjetër të veçantë për këtë çështje”.
BE përsëriti thirrjen e saj ndaj Koresë së Veriut që të “ndalojë veprimet e saj agresive dhe destabilizuese, të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe të rifillojë dialogun me të gjitha palët përkatëse”. BE nënvizon “solidaritetin e plotë” të saj me Japoninë dhe Korenë e Jugut. Protothema
/rtsh.al/