BE-ja përgatitet për mbylljen e gazit rus, KE: Të ulet përdorimi i gazit me 15%

Komisioni Evropian u ka kërkuar vendeve në të gjithë bllokun që të ulin përdorimin e gazit me 15% nga gushti deri në mars, mes frikës se Rusia mund të ndalojë furnizimet. KE thotë se objektivi është vullnetar, por do të bëhet ligjërisht i detyrueshëm nëse Moska mbyll rubinetat këtë verë.
Gazsjellësi kryesor Nord Stream 1 nga Rusia në Gjermani, ka qenë jashtë linje për mirëmbajtje prej 10 ditësh dhe do të kthehet të enjten. Por ka shqetësime se Moska nuk do ta zbatojë premtimin e saj. Duke shtuar pasigurinë, Vladimir Putin tha të mërkurën se nuk ishte e qartë në çfarë gjendje do të kthehej një turbinë nga tubacioni pas riparimeve në Kanada.
Presidenti rus tha se ekzistonte rreziku që pajisjet do të duhej të fiken në “një moment” dhe Nord Stream 1 të mbyllej.Rusia furnizoi Evropën me 40% të gazit të saj natyror vitin e kaluar, me Gjermaninë importuesin më të madh të kontinentit në vitin 2020, e ndjekur nga Italia.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se një ndërprerje në mbarë Evropën tani ishte një “skenar i mundshëm”. “Rusia po na shantazhon. Rusia po përdor energjinë si armë,” tha ajo. “Prandaj, në çdo rast, qoftë një ndërprerje e pjesshme, e madhe e gazit rus apo një ndërprerje totale e gazit rus, Evropa duhet të jetë gati.”
Që kur Rusia pushtoi Ukrainën, ajo ka shkurtuar furnizimet për një numër vendesh të cilat kanë refuzuar kërkesën e saj për pagesën e gazit në rubla, duke përfshirë Poloninë, Bullgarinë, Holandën, Danimarkën dhe Finlandën. Ajo është akuzuar gjithashtu për reduktimin e furnizimeve për ta bërë më të vështirë për vendet e BE-së të krijojnë rezerva përpara dimrit.Britania e Madhe merr më pak se 5% të gazit të saj nga Rusia, por çmimet e saj të gazit ndikohen nga luhatjet në tregjet globale. BBC
/rtsh.al/