Shqipëria drejt amnistisë fiskale dhe penale?

Çfarë është amnistia fiskale dhe penale?
Amnistia fiskale dhe penale është nisëm ligjore e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të falur të gjitha gjobat, kamatëvonesat e pasurisë që deklarohet, nëse kryhet regjistrimi i pasurisë së disponuar në 30-vjeçarin e fundit, të kryera deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit. Personave që aplikojnë për amnisti fiskale u ruhet anonimati dhe nuk i fillojnë procedurat e ndjekjes penale.
Për sa zgjat amnistia fiskale?
Qeveria parashikon në draftin e saj që amnistia fiskale të zgjasë 9 muaj.
Cilat kategori mund të përfitojnë nga amnistia?
Nga amnistia fiskale dhe penale përfitojnë të gjithë emigrantët shqiptarë, bizneset dhe të huajt që janë rezidentë dhe tatim-pagues në Shqipëri.
Cilat kategori përjashtohen nga përfitimi i amnistisë?
Amnistia përjashton 34 kategori, zyrtarë të lartë, të mesëm, të sotëm dhe të dikurshëm dhe familjarët e tyre, (gjyqtarë, policë, nëpunës, guvernatorë, pjesëtarë bordesh, etj), politikanët dhe familjarët e tyre, individë të skeduar me rekorde kriminale të dënuar dhe në hetim (në Shqipëri dhe në Evropë), subjektet e ligjit anti-mafia, subjektet e OFL të verifikuar dhe të pa verifikuar dhe personat që janë pjesë e listës si financues të terrorizmit, por edhe familjarët e tyre.
Sa është shuma që mund të vetëdeklarohet?
Sipas draftit të qeverisë, mund të vetëdeklarohet deri në 2 milionë euro pasuri e luajtshme dhe e paluajtshme, para cash dhe sende me vlerë. Kufiri i deklarimit nuk individual, por familjar, që do të thotë se vetëm një person në familje mund të deklarojë deri në 2 mln euro.
Si bëhet verifikimi i personave që duan të përfitojnë?
Një njësi speciale në drejtorinë e tatimeve në ndërveprim online me institucionet shtetërore që kanë të dhëna për të interesuarit kryen verifikimet dhe jep një certifikatë me të cilën mund të shkohet në bankë për të deklaruar pasuritë.
Sa taksa paguan një person që vetëdeklaron pasurinë?
Nëse vetëdeklarimi i pasurisë bëhet në 4 mujorin e parë të hyrjes në fuqi të ligjit, paguhet 7% tatim dhe 10% për 5 mujorin e dytë.
Kur mund të tërhiqen pasuritë e vetëdeklaruara?
Pasuritë e deklaruara nuk mund të tërhiqen cash deri në momentin e zbatimit të ligjit.
A mund të transferohen jashtë vendit pasuritë?
Pasuritë e vetëdeklaruara nuk mund të tranferohen jashtë vendit për një periudhë 5-vjeçare nga momenti i depozitimit.
Po nëse personi që deklaron pasurinë i rezultojnë probleme?
Amnistia përfundon në momentin që i interesuari dorëzon para, dhe gjatë vetëdeklarimit zbulohet se ai nuk përmbush kriteret, nga ky moment paratë sekuestrohen.
Pse qeveria po e risjell tani amnistinë fiskale, kur u tërhoq nga kjo nismë 3 vite më parë?
Sipas qeverisë, tashmë është ngritur infrastruktura mbrojtëse për të shmangur hapësirat e pastrimit të parave të krimit, pasi është ngritur tashmë struktura ligjore kundër pastrimit të parave, janë ngritur strukturat e reja të drejtësisë, është ngritur procesi i fiskalizimit dhe prej 1 majit Shqipëria ka kaluar në shërbimet online përmes e-Albania.
Sa vota kërkon amnistia fiskale?
Pas konsultimeve publike që qeveria ka çelur përgjatë muajve korrik-gusht, drafti do të kalojë në komisione parlamentare dhe më tej në Kuvendin e Shqipërisë, ku kërkon miratim me 84 vota.