E Hënë, 2 Nëntor 2026

BE-ja voton për vendosjen e tarifave ndaj mallrave të importuara nga SHBA

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë votuar në favor të vendosjes së tarifave për disa mallra të importuara nga SHBA. Kjo u  konfirmua nëpërmjet një deklarate nga Komisioni Evropian.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi nga 15 prilli.

“BE i konsideron tarifat amerikane të pajustifikuara dhe të dëmshme, duke shkaktuar dëm ekonomik për të dyja palët, si dhe ekonominë globale”, thuhet në deklaratë.

“BE ka shprehur preferencën e saj të qartë për të gjetur rezultate të negociuara me SHBA, të cilat do të ishin të balancuara dhe reciprokisht të dobishme.”

Tarifat e reja që BE ka njoftuar për Shtetet e Bashkuara do të ndikojnë në mallra me vlerë 20.9 miliardë euro (18 miliardë paund).

Ato do të aplikohen në tre faza me grupin e parë që do të hyjë në fuqi të martën e javës së ardhshme për mallra me vlerë 3.9 miliardë euro që SHBA u shet vendeve të BE-së.

Një muaj më vonë, më 15 maj, 13.5 miliardë euro për mallra të tjera të ndjekura nga 3.5 miliardë euro nga 1 dhjetori.

Këto tarifa janë në përgjigje të taksave 25% të importit që Presidenti Trump vendosi për të gjithë çelikun dhe aluminin dhe hyri në fuqi në mes të marsit. Ato aplikohen si ndaj BE-së ashtu edhe ndaj pjesës tjetër të botës.

Vonesa në kundërpërgjigje tregon se politika tregtare e BE-së nuk është në gjendje të ecë aq shpejt sa SHBA-ja, sepse të 27 vendet anëtare duhet të votojnë për çdo tarifë të re.

Megjithatë, në deklaratën e saj për shpalljen e tarifave, BE-ja e bëri të qartë se “këto kundërmasa mund të pezullohen në çdo kohë, nëse SHBA bien dakord për një rezultat të drejtë dhe të balancuar të negociuar”.

Konfirmimi se cilat mallra synon BE-ja pritet të publikohet brenda 24 orëve të ardhshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›