BE jep “dritën jeshile” për IBAR! Të premten raporti në Këshillin e Ambasadorëve, në 26 maj Konferenca Shqipëri-BE

Shqipëria ka kaluar edhe një tjetër test sa i përket procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Grupi i punës për zgjerimin, COELA i ka dhënë dritën jeshile raportit të piketave të ndërmjetme, IBAR e tashmë dosja do të kalojë në këshillin e ambasadorëve të 27 shteteve anëtare të BE-së në COREPER, mbledhje e cila pritet të mbahet të premten.
Ky vendim i unionit, u përshëndet nga kreu i grupit socialist, Taulant Balla, i cili theksoi se vendi ynë po mbyll një fazë të rëndësishme të integrimit.
“Jemi në përmbyllje të një jave brenda së cilës BE, në respekt të procedurave burokratike, kalon nga grupi i punës te Komiteti i Përfaqësuesve nesër, ku në njëfarë mënyre miratohet gjithë ajo punë kolosale e bërë nga shumë institucione shtetërore të përfshira në këtë proces të adresimit të piketave të ndërmjetme”, tha Balla.
Për demokraten Jorida Tabaku rëndësi ka realizimi i reformave, në të kundërt procesi ngec.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e kanë parë këtë mundësi dhe momenti i tretë i rëndësishëm është që ky proces është proces merite. Kush realizon reformat ecën përpara, si në Malin e Zi. Kush nuk i realizon ato, mbetet në diskutime të gjata 5-mujore, si në rastin e Shqipërisë”, tha Tabaku.
Pas kalimit të raportit në grupin e ambasadorëve, procesi vijon me mbajtjen e Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE në datën 26 maj, ku vendi ynë do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama.
Kjo konsiderohet një nga fazat më të rëndësishme të procesit të negociatave, e cila i hap rrugë avancimit të mëtejshëm të Shqipërisë në mbylljen e kapitujve.