E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE kërkon dialog për Veriun

(E plotësuar) Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Von Rompoy tha sot se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemit të veriut të Kosovës.

Këto komente, Rompuy i bëri në konferencën e përbashkët për media, me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila po qëndron për vizitë në Bruksel. Jahjaga shprehu pakënaqësinë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut të zhvilluar deri më tani, ndërsa kërkoi nga BE-ja që të gjejë mekanizma për monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë. Këtë mesazh dha nga Brukseli presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Von Rompuy, i cili tha se progresi në veri të Kosovës arrihet vetëm përmes dialogut.

“Palët duhet gjithashtu t’u adresohen çështjeve në veri të Kosovës, për të mirën e qytetarëve që jetojnë atje. Unë mbetem i bindur se gjithsesi vazhdimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit do të jetë mënyra më e mirë për të arritur këtë progres dhe për të siguruar një stabilitet të mëtutjeshëm dhe zhvillim të mëtutjeshëm në rajon”, tha Rompuy, siç transmeton RTK.

Ai tha se në dialogun e zhvilluar deri më tani mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, janë arritur rezultate të prekshme, mirëpo sfidë vazhdon te mbetet zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura.

Presidentja Atifete Jahjaga nga ana tjetër, kërkoi nga BE-ja që të bëjë më shumë për zbatimin e këtyre marrëveshjeve nga ana e Serbisë.

“Ne nuk jemi të kënaqur me zbatimin e këtyre marrëveshjeve dhe ne kemi kërkuar nga Bashkimi Evropian që të gjejnë mekanizmat për të monitoruar dhe garantuar zbatimin e këtyre marrëveshjeve”, tha Jahjaga.

Ajo tha më tej se Kosova pret që Serbia t’i normalizojë marrëdhëniet fqinjësore me Kosovën, ngase ky është një faktor paqeje që do të ndikojë drejtpërdrejt në eliminimin e strukturave kriminale që vazhdojnë ta mbajnë peng integrimin e tri komunave veriore të Kosovës.

Jahjaga tha se institucionet e Kosovës po vazhdojnë me përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave.

“Të gjitha institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të përmbushur të gjitha obligimet dhe të përshpejtojnë të gjitha procedurat që dalin nga ato”, tha Jahjaga.

Presidenti i BE-së, Herman Von Rompuy shprehu përkushtimin e BE-së për perspektiven evropiane të Kosovës, përderisa shtoi se do të vazhdohet me prezencë edhe më të fuqishme të EULEX-it në Kosovë.

Jahjaga takohet me zyrtarë të lartë të BE'së

Presidentja, Atifete Jahjaga, nis sot në Bruksel vizitën dyditëshe, ku me zyrtarët e lartë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s do të bisedojë për agjendën evropiane të Kosovës ku në fokus pritet të jetë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gjatë kësaj vizite dyditore Presidentja e Kosovës do të ketë takim me presidentin e Këshillit Evropian Herman Van Rompuy, me presidentin e Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso, me Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian Stefan Fyle si dhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmussen.

Po kështu do të bisedohet edhe për mandatin e misioneve ndërkombëtare pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, si dhe për shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›