Llapi përballë EULEX’it

Latif Gashi të martën ishte më i zëshmi në gjykatore, teksa mundohej ta bindte trupin gjykues se aktakuza e lexuar nga prokurori, duhet të pastrohet.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së assesi nuk deklarohej nëse e ndjen veten fajtor apo jo për këtë aktakuzë të re, pasi sipas tij, ajo përmban edhe pika të tjera për të cilat është shpallur më herët i pafajshëm.
“Nuk mund të deklaroj asgjë përderisa aktakuza përmban pikat të cilat janë rrëzuar më herët nga gjykata e shkallës së parë”, tha Gashi.
Deputeti Gashi së bashku me Nazif Mehmetin dhe Rrustem Mustafën akuzohen për krime lufte ndaj popullatës civile të kryera gjatë vitit 1998 dhe 1999 në Kosovë.
Ky mosdeklarim i të akuzuarit Gashi dhe Mehmeti e kanë shtyrë gjykatën që procesin gjyqësor ta shtyjë për shtator.
Për dallim nga dy shokët e tij, Rrustem Mustafa u deklarua i pafajshëm, ndonëse aktakuzën që e ka lexuar prokurori e ka quajtur fyese.
Aktakuza e ngritur nga prokurori Charles Hardaway përveç pikës tetë në të cilën akuzohen për trajtim çnjerëzor nëpër kampet e ndalimit në disa fshatra të Llapit, përmban edhe emra të vendbanimeve dhe të njerëzve të cilët janë vrarë gjatë luftës, e të cilat akuza janë hedhur poshtë në gjykimet e mëhershme.
Avokati i Latif Gashit, Mexhit Syla tha se kjo aktakuzë është kombinim i aktakuzave paraprake, ku manipulohet me emërtime të vendeve dhe me terma që janë gjykuar, siç është ndalimi i kundërligjshëm, marrja në pyetje etj.
Sipas Sylës, fillimi i shqyrtimit kryesor pa u mënjanuar këto dilema është në dëm të mbrojtjes.
“Bile edhe vrasja përmendet në disa raste përkundër faktit se akuza është refuzuar”.
Ndryshe, prokurori Hardaway në fjalën hyrëse, para se të lexonte aktakuzën, tha se tre të akuzuarit si eprorë të lartë të UÇK-së e kanë pasur për detyrë që të sigurojnë mirëqenien e civilëve si dhe kanë pasur kompetenca që nëse ka abuzime nga ana e dikujt, që të parandalojnë atë.
Këta sipas prokurorit, jo që nuk e kanë ndaluar trajtimet çnjerëzore, mirëpo edhe vetë kanë marrë pjesë në to dhe madje kanë krijuar edhe qendra ndalimi.
“Qëllimi për të cilin të pandehurit kanë krijuar qendra ndalimi ishte që t’i ndalonin civilët shqiptarë, të cilët dyshoheshin për bashkëpunim me forcat serbe dhe t’i detyronin ata që të pranonin tradhtinë ndaj UÇK-së dhe më pas që t’i ndëshkonin ata”, thuhet në aktakuzën prej 11 faqesh.
Si qendra të ndalimit, në aktakuzë përmenden në fshatrat Bajgorë, Llapashticë, Majac, Potok dhe Koliq. Sipas aktakuzës, civilët nëpër këto qendra janë mbajtur në kushte çnjerëzore, pa ujë, ushqim dhe trajtim mjekësor. Pos kësaj, sipas aktakuzës, civilët u janë nënshtruar rrahjeve dhe torturës, janë kërcënuar me vdekje dhe janë detyruar që të pranojnë gjëra të pavërteta.
Si të ndaluar dhe të keqtrajtuar në këto qendra, prokurori në aktakuzë i ka futur edhe emrat e të vrarëve si Drita Bunjaku, Agim Musliu, Idriz Svarqa, Alush Kastrati, Hetem Jashari dhe dëshmitarët e koduar me numrat 7, 4, H. Sipas prokurorit, Rrustem Mustafa ishte përgjegjës për krijimin e qendrave të ndalimit dhe kishte njohuri për veprat që kanë ndodhur në këto qendra.
Sipas aktakuzës, Mustafa, si komandant i Zonës, kishte urdhëruar arrestime dhe lirime.
Po ashtu, Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti, sipas aktakuzës, mbanin pozita komanduese dhe personalisht kanë marrë pjesë në marrje në pyetje, rrahje dhe tortura të civilëve. Në fund, prokurori propozoi që dëshmitarëve palët e dëmtuara dhe të pandehurve t’u lejohet konfirmimi i dëshmive që kanë dhënë më herët në proceset gjyqësore.
Pas ankesës së mbrojtjes dhe të akuzuarit Gashi për aktakuzën, Trupi Gjykues ka vendosur që seanca të vazhdojë në shtator dhe tetor për të marrë parasysh kërkesat e Gashit për korrigjim të aktakuzës.
Vlen të ceket se gjykata nuk e ka respektuar afatin ligjor për dërgimin e aktakuzës të akuzuarve. Gashi tha se e ka marrë aktakuzën vetëm një ditë më parë, ndërsa Mehmeti dhe Mustafa pesë ditë më herët. Edhe ky fakt u mor parasysh nga gjykata për të shtyrë seancën.