E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE kundër përfshirjes së OKB'së në hetimin për trafikimin

Nga Express më 21 prill 2011 në ora 11:07

(E plotësuar) Bukseli nuk ndryshon qëndrimin se nuk është i nevojshme përfshirja e Kombeve të Bashkuara në hetimin për trafikimin me organe njerëzore në Kosovë, duke ritheksuar se për këtë EULEX-i është i aftë plotësisht.

"EULEX-i është plotësisht i aftë dhe në në vendin më të mirë që të zbatojë hetimin për trafikimin me organe", ka deklaruar për mediat serbe Maja Kociançiç, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme, Catherine Ashton, siç transmeton Koha.

Serbia ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit që për hetimin e pretendimeve nga raporti i Dick Martyt të mandatohet OKB-ja. Këshilli i Sigurimit do të mblidhet më 12 maj për të diskutuar për raportin e rregullt tremujor të UNMIK-ut për Kosovën. Dhe sipas pritjeve të Beogradit, kjo do të ishte "rast ideal" që kërkesa e serbe të futet në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje. Në muajin maj KS-në e kryeson Franca.

Ndërkaq, që kërkesa e Serbisë të marrë "dritën jeshile" nevojitet që për të votojnë shumica e prej nëntë anëtarëve dhe me këtë rast asnjëri prej tyre që kanë ulësen e përhershme të mos përdorë të drejtën e vetos, gjë që kjo vështirë të ndodhë kur dihet se në shkurt anëtarët kryesorë të KS - SHBA, Britania e Madhe, Franca kishin hedhur poshtë një kërkesë të ngjashme të Serbisë.

Ambasadorët e këtyre shteteve hodhën poshtë kërkesën e Serbisë për krijimin e një gjykate ad hoc për hetim të akuzave për trafikim të organeve, duke thënë se misioni i Bashkimit Evropian për polici dhe sundim të ligjit, EULEX tashmë i kishte filluar hetimet preliminare dhe se e kishte mandatin dhe aftësinë ta bëj këtë.

Propozimi i Serbisë për hetime arriti në OKB

Zyra e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, e ka marrë propozimin e Serbisë për hetime, lidhur me dyshimet për tregti me trafikim të organeve njerëzore në Kosovë, raporton agjencia beogradase Beta.

“Mund ta vërtetoj se e kemi marrë këtë letër. Ajo do të publikohet si dokument zyrtar i Këshillit të Sigurimit”, për disa ditë, tha Vanina Maestraqi, nga Zyra e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

Megjithatë, ajo nuk ka mundur ta precizoj se kur eventualisht Këshilli i Sigurimit i OKB-së, do ta ketë në rend të ditës këtë kërkesë.

Ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, më 19 të këtij muaji, ka deklaruar se sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, i ka dërguar një letër, në të cilën propozon zhvillimin e hetimeve nën mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, gjatë qëndrimit në Beograd, tha se Moska “e mbështet në tërësi këtë iniciativë të Serbisë”.

Në raportin e zviceranit Dick Marty, raportues i Këshillit të Evropës, ish pjesëtarët e UÇK-së, përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, akuzohen për trafikim të organeve gjatë luftës në Kosovë./rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›