E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE kundër protestave të opozitës maqedonase

05-01-2013 / Gazeta 55

LSDM merr pjesë në zgjedhje, nëse organizohen nga qeveria teknike

Ngjarjet e fundit në Maqedoni kanë shqetësuar edhe Brukselin. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Sebastian Barbant, përmes mediave maqedonase ka bërë apel që problemet të zgjidhen përmes debatit në Kuvend, duke shtuar se vetëm kjo mënyrë e veprimit politik është në interes të qytetarëve. Barbant ka bërë të ditur se BE është kundër padëgjueshmërisë qytetare që po organizohet nga opozita maqedonase, duke protestuar dhe bllokuar akset kryesore rrugore nëpër qytetet më të mëdha në vend.

“Apelojmë për uljen e gjakrave dhe u bëjmë thirrje krerëve të partive politike dhe të mbështetësve të tyre të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Komisioni Evropian kërkon gjithashtu përjashtimin absolut të dhunës”- theksoi Sebastian Barbant.
Ndërkohë opozita maqedonase ka dalë me qëndrim të ri, ku lihet e hapur mundësia për ndërprerje të bllokadave dhe pjesëmarrje në zgjedhjet vendore, por vetëm në rast se ato zbatohen nga një qeveri e re teknike. Deputeti i kësaj partie Emilijan Stankoviç, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka deklaruar se vetëm një përbërje e re qeveritare ndryshe nga kjo e tanishmja, do të kishte kredibilitetin dhe besimin të organizonte zgjedhjet lokale dhe parlamentare. Ai ka shtuar se partia e tij nuk është e interesuar të marrë pjesë në një qeveri të atillë. Ndërkaq partitë opozitare shqiptare kanë bë të qartë se nuk kanë ndërmend t’i bashkëngjiten bojkotit të zgjedhjeve të ardhshme vendore, të paralajmëruar nga opozita maqedonase. Këtë mundësi e kanë përjashtuar edhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, edhe kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›