“Procedurë dixhitale për blerjet e vogla dhe publikimi i numrave jeshilë, hapat e rinj që rrisin transparencën”
Qeveria do aplikojë standarde të reja që rrisin transparencën, me zgjerimin e procedurave administrative dixhitale dhe komunikimit me publikun.
Kryeministri Berisha bëri të ditur vendosjen së shpejti të procedurës dixhitale për të gjitha blerjet e vogla deri në 400 mijë lekë.
Gjithashtu, kreu i qeverisë paralajmëroi publikimin brenda 10 ditëve, nga të gjitha ministritë të numrave jeshilë, pa pagesë, për qytetarët, për të denoncuar korrupsionin. Krahas numrit jeshil, kryeministri kërkoi që në faqen zyrtare të institucioneve të publikohet edhe numri i celularit, kur ai subvencionohet në minuta, nga shteti, të ministrave dhe zyrtarëve të tjerë.
“Ne e nisim vitin me dy hapa të përshtatshëm, në një përpjekjeje për një transparencë më të madhe. Pasi kemi realizuar prokurimet dixhitale, ne e nisim vitin me kompletimin e sistemit dixhital për blerjet e vogla. Ne jemi nga të paktat qeveri që çdo shpenzim që bëhet sot, nesër gjendet on-line në thesarin e shtetit. Po ashtu të instalojmë një dialog konstant me qytetarët, për të vjelë sa më shumë mendimet e tyre. Këto ditë vendoset sistemi dixhital i blerjeve të vogla. Agjencia e Prokurimeve Publike ka punuar me përkushtim të madh dhe tani, edhe për blerjet e vogla, në shumën deri në 400 mijë lekë, do të vendoset procedura dixhitale që është standardi më i mirë që ekziston në një vend. Kjo është një arritje madhe. Ajo që kërkoj nga ju, zotërinj ministra, zëvendësministra dhe të gjithë zyrtarët që kanë telefon të subvencionuar për minuta nga qeveria, është të afishoni numrin celular në faqen zyrtare të ministrisë. Kjo është pozitive, pasi këto numra i kemi për publikun dhe afrojmë qytetarin. Në mënyrë të veçantë është e domosdoshme të funksionojnë linjat falas. Zoti Sekretar i Përgjithshëm, të merren masat që të gjitha ministritë të lenë linjë falas për qytetarët, për të paraqitur ankesat e tyre për korrupsionin, ai që njihet si numri jeshil. Kjo duhet të vendoset brenda 10 ditëve. Krahas tij, të jetë i afishuar edhe numri i celularit të zyrtarëve, i subvencionuar nga shteti”, u shpreh kryeministri Berisha.