E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE mbështet EULEX-in, për çështjen e imunitetit

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Fernando Gentilini, deklaroi se Kosovës i duhet qartësi lidhur me çështjen e imunitetit të deputetëve të Kosovës. Ai tha se e mbështet plotësisht letrën që EULEX-i i ka dërguar Kuvendit për çështjen e imunitetit të deputetëve, dhe kjo sipas tij, nuk ka të bëjë me ndonjë rast specifik, por me zgjidhjen e çështjes së interpretimit.
 

Gentilini, duke iu referuar kërkesës së EULEX-it dërguar Kuvendit të Kosovës për zgjidhjen e çështjes së imunitetit të deputetëve, tha se Bashkimi Evropian nuk do të kërkonte kurrë nga askush që të thyej ligjin.
 

Duke komentuar seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, lidhur me bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, Gentilini tha se ky dialog ka të bëjë me afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe sipas tij, konkluzionet e arritura lidhur me regjistrin civil, lirinë e lëvizjes dhe diplomat e universitetit, përfaqësojnë zgjidhjet evropiane dhe ndihmojnë në përmirësimin e jetës së njerëzve të rëndomtë.
 

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë tha se prioritet i Kosovës duhet të jetë përgatitja sa më mirë që mundet për Raportin e ardhshëm të Progresit. Sipas tij, Kuvendi ka një rol të rëndësishëm në këtë dhe ai duhet të fokusohet në të.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›