E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE mbështet Kosovën, Van Rompuj: Mbështetje për vizat

Bashkimi Europian ka dhënë sërish mbështetje për Kosovën në lidhje me dialogun e vizave, për marrëveshjen mbi tregëtinë si dhe anëtarësimin e vendit në BERZH. Në një konferencë për shtyp me kryeministrin kosovar Hashim Thaci, presidenti i BE Herman Van Rompuj theksoi se marrëveshja mbi bashkëpunimin rajonal është një arritje e madhe, e cila do ti hapë dyert Kosovës për pjesëmarrjen në takime rajonale.
 

"Eshtë kënaqësi për mua të mirëpres në Bruksel kryeministrin Thaçi, i cili ka marrë vendime të rëndësishme që ndikojnë në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Marrëveshja mbi bashkëpunimin rajonal është një arritje e madhe, e cila do ti hapë dyert për pjesëmarrjen e Kosovës në takime rajonale. Unë jam i kënaqur gjithashtu edhe marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit" theksoi Rompuy.
Sipas presidentit te BE dialogu ka arritur rezultatet e dëshiruara në sajë të një angazhim të fortë në të dy palët, ndërsa theksoi se marrëveshja e stabilizim asocimit dhe marrja e statusit kandidat nga Serbia janë lajme të mira.
 

Ndërkohë kryeministri kosovar ka shprehur angazhimin se Kosova do të vazhdojë dialogun me Serbinë, në mënyrë që të dy vendet të jenë pjesë e BE-së.
 

"Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë përkushtimin e saj në funksion të përmbushjes së të gjitha kritereve dhe standardeve evropiane të integrimit, në mënyrë që edhe procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës të bëhet realitet sa me pare " tha Kryeministri kosovar.
 

Sipas tij studimi i Fizibilitetit është një hap i rëndësishëm, që shënon avancimin e perspektivës evropiane për Republikën e Kosovës dhe është hapi i parë konkret, unik në mbështetje të shtetit të Kosovës.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›