BE me sanksione të reja kundër Sirisë

Sanksionet u vendosën gjatë një takimi të ambasadorëve të 27 vendeve anëtare, para një takimi të ministrave evropianë të Punëve të Jashtme në Luksemburg.
Gjatë drekës së punës, shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, njoftoi ministrat për situatën në këtë vend, ku me gjithë marrëveshjen për armëpushim, vazhdon të ketë luftime.
Siria është përfshirë nga protestat antiqeveritare dhe dhuna qe nga muaji mars i vitit të kaluar. Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 9 mijë persona, shumica nga ta civilë, kanë humbur jetën në më shumë se një vit trazira.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian u mblodhën në Luksemburg, për të diskutuar situatën në Birmani, Afganistan, Afrikë dhe Lindje të Mesme. Krye-diplomatët e 27 vendeve nisën takimin me debatin për Birmaninë, ku më 1 prill, pas disa vjetësh të sundimit ushtarak, janë mbajtur zgjedhjet e para pjesërisht të lira.