Një shpërthim i fuqishëm shkaktoi panik në Kaliforni
Ende nuk dihet se çfarë ka shkaktuar shpërthimin, i cili u dëgjua në pjesën më të madhe të Kalifornisë dhe të Nevadës, por supozohet si shkak i shpërthimit ka qenë një meteor, i cili ka hyrë në atmosferën e Tokës, kanë theksuar astronomët.
“Xhamat janë dridhur dhe menjëherë kam dal për të shikuar se mos bëhet fjalë për ndonjë tërmet, por nuk ishte”, i tha agjencisë së lajmeve AP Nichol Carlsen, nga qyteti Rino në Nevadë.
Shpërthimin e fuqishëm e ka dëgjuar edhe Erin Hudson nga qyteti Arnold në Kaliforni, e cila tha se dukej sikur diçka të kishte shpërthyer në shtëpinë e fqinjit.
Disa banorë kanë lajmëruar se në atë momente kanë vërejtur disa rrufe në qiell dhe sipas deklaratave të tyre, drita kishte përfshirë rreth mijëra kilometra në hapësirën mes Kalifornisë dhe Nevadës.
Astronomët vlerësuan se drita enigmatike në të vërtetë ka qenë një meteor tejet i ndritshëm, i cili ka hyrë në atmosferën e Tokës.