E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, pa plan për veriun

Bashkimi Evropian nuk ka ndonjë plan të vetin sa u përket raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës dhe nuk ka as ndonjë plan të vetin që do ta imponojë sa i përket veriut të Kosovës. E tërë atë që po bën Bashkimi Evropian është tentimi për t’iu ndihmuar të dy palëve që t’i zgjedhin problemet e ndërsjella. Kështu ka deklaruar të martën përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Kosovën, Samuel Zhbogar, në debatin e organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë, me temën “Qasja e Qeverisë në Veri Kosovës dhe skenarët e mundshëm në procesin e negociatave për veriun e Kosovës”.

Samuel Zhbogar, duke folur për gjendjen në veri të Kosovës, ka thënë se edhe pse situata atje për momentin është e qetë dhe stabile, megjithatë një situatë e tillë për BE-në është e paqëndrueshme dhe e patolerueshme dhe se kjo ka qenë arsyeja kryesore pse përfaqësuesja e Bashkimit Evropianë Katrin Ashton, ka ftuar për bisedime kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin, dhe kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiçin.

Edhe pse Zhbogar deklaron se BE-ja nuk ka ndonjë plan për veriun, ai thotë se arsyeja e bisedimeve është normalizimi i gjendjes atje, pasi që, sipas tij, veriu është pengesa kryesore e Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Evropian dhe ka shprehur bindjen se ky dialog nuk do të zgjatë me vite.

“Bashkimi Evropian nuk ka ndonjë plan të vetin sa u përket raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës dhe nuk ka as ndonjë plan të vetin që do ta imponojë sa i përket veriut të Kosovës. Pra të jemi të qartë që në fillim. Atë që e bënë BE-ja është që tenton t’iu ndihmojë të dy palëve që kanë probleme. Ne e shohim se ka problem në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe se janë probleme që i rëndojnë jo vetëm raportet në mes Kosovës dhe Serbisë, por këto probleme e rëndojnë edhe rrugën e njërit dhe shtetit tjetër drejt BE-së”, ka thënë ai.

Bashkimi Evropian përkrahë dialogun Kosovë-Serbi në nivel kryeministrash, mirëpo Zhbogar ka qartësuar se për veriun e Mitrovicës nevojiten tri lloje të dialogut. Ai po ashtu ka mohuar çfarëdo lloj zgjidhje tjetër përpos dialogut, duke mohuar ndarjen, por edhe Planin Plus të Ahtisarit.

“Ne mendojmë që duhet të zhvillohen tri lloje të dialogut. Pra dialogu në mes të Serbisë dhe Kosovës që tashmë ka filluar me ndihmën e BE-së dhe të ShBA-ve. Duhet të zhvillohet dialogu i Kosovës me veriun, sepse ka probleme të veçanta dhe kjo është ajo që kemi kërkuar nga qeveria e Kosovës që ta shtrijë dorën që t’i bëjë gjërat në raport me veriun për ta zvogëluar tendosjen mes njerëzve. Dhe dialogu i tretë duhet të zhvillohet mes serbëve në veri dhe jug”, ka thënë ai.

Me këtë deklaratë të përfaqësuesit të BE-së, Samuel Zhbogar, nuk pajtohet panelisti në këtë debat, kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, Agron Bajrami, i cili mendon se për zgjedhjen e problemit të veriut duhet të zhvillohet një dialog mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe banorëve të asaj pjese, e kurrsesi mes Prishtinës dhe Beogradit.

Bajrami shton se problemi kryesor për veriun mbeten strukturat paralele dhe krimi i organizuar dhe se për ta zgjidhur këtë çështje duhet shpërbërja e këtyre strukturave dhe shtrirja e autoritetit të institucioneve të Kosovës.

Slobodan Petroviç, zëvendëskryeministër i Kosovës dhe njëherësh Ministër i Pushtetit Lokal, ka thënë se edhe Qeveria e Kosovës është e interesuar që dialogu për veriun të vazhdojë dhe se çdo marrëveshje e arritur të implementohet. Ai gjithashtu ka kërkuar edhe decentralizimin e mëtejmë të komunave serbe.

“Në aktivitetet që i kam pas me bashkëpunëtorët e mi është që jemi angazhuar që të kemi sa më pak politikë dhe sa më shumë rezultate dhe projekte dhe mendoj se kjo është një formulë e mirë e suksesit. Gjatë këtyre ditëve pres që dialogu që paraqet vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit do të jetë një rast i mirë për temën veriu i Kosovës, përkatësisht implementimin e mëtejshëm të decentralizimit që besoj që ka rëndësi të veçantë jo vetëm për komunat e komunitetit serb, por për tërë perspektivën”, ka thënë ai.

Aleksandër Stojanovic, drejtor i Qendrës për Zhvillim të Mjediseve Lokale në Mitrovicë, tha se qytetarët nga veriu janë të bindur se as Beogradi nuk i pyet ata kur është në pyetje veriu i Mitrovicës, por as Qeveria e Prishtinës e faktori ndërkombëtar, duke vlerësuar një gjë të tillë si diçka të gabueshme. Sipas Stojanovic, qytetarët serbë të veriut janë në gjendje të rëndë socio-ekonomike dhe se sipas tij kjo gjendje shpejt duhet të ndryshojë ndonëse është bërë e padurueshme.

I pyetuar nga gazetarët lidhur me protestat e ditës së djeshme të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Zhbogar ka dënuar dhunën e ushtruar nga të dyja palët, ndërsa ka shtuar se çdo qytetar ka të drejtë të protestojë dhe të shprehë pakënaqësitë e veta, por jo duke ushtruar dhunë.

Në këtë debat u prekën edhe tema të tjera që kanë të bëjnë kryesisht me veriun e vendit, duke dhënë mënyra dhe alternativa të ndryshme për zgjidhjen e këtij problemi 13-vjeçar. Megjithatë, nga të gjithë panelistët njëzëri u vlerësua se Mitrovica është një temë që e preokupon jetën politike edhe këtu në Kosovë, por edhe në Serbi. Dhe se normalizimi i gjendjes në veri do të hapte perspektivën Evropiane për të dyja vendet. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›