Tregimi për kameleonin Bowie
Për Bowie dihet shumëçka, edhe pse libri i titulluar sipas kult-këngës së tij 40 vjet të vjetër zbulon edhe shumë detaje të panjohura për të.
“Çdokush bashkëndjenë me familje të çuditshme”, ishte fjalia e preferuar e Bowie në kohën kur sjelljet e tij ishin më të këqijat. Ai nënën e vet e përshkruante si të rreptë, sepse sjellja e saj kishte shkaktuar rebelimin e tij derisa ishte fëmijë. Mirëpo, sipas asaj që thuhet në “David Bowie: Starman”, mësuesit e tij thonë se Bowie ishte fëmijë i kthjellët, sharmant dhe i sjellshëm; një fëmijë me të cilin do të krenohej çdo nënë. Por, këtë imazh e prishi një episod i njohur nga adoleshenca e tij. Për shkak të të dashurës u rrah me një shok, dhe një grusht në sy ia ndërroi ngjyrën e syrit. Prej atëherë Bowie njërin sy e ka të kaltër, e tjetrin të gjelbër në të kaftë.
Me këngën “Space Oddity” (1969) u dëshmua si muzicient. Vetë Bowie tregonte se kënga ‘i erdhi’ shumë lehtë, sepse për të u inspirua nga filmi i Stanley Kubrick “2001: Odiseja në Gjithësi”.
“Isha plotësisht i droguar kur e pashë atë film, që më la pa mend”, tregonte asokohe Bowie, i cili në vitet e 70’a përflitej të ishte pjesë e skenës narkomane muzikore. Me sjelljet e tij, ai këto pohime vetëm sa i nxiste edhe më tepër. Mirëpo, njerëzit që asokohe ishin të afërm me te thonë s Bowie s’mund të thithte as një cigare marihuane, sepse ngulfatej nga të kolliturat.
Me përparimin e karrierës, ai ndërtonte edhe një imazh publik krejt enigmatik, si një person kontrovers për orientimin seksual të të cilit përflitej gjithçka. E bënte këtë qëllimisht. Si rrjedhojë, në vitet e 70’a, shkrimtari Cameron Crow deklaronte se me gruan e tij të asokohshme, Angela Barnett, ishte njohur përmes një tipi me të cilin flinin të dytë. Menaxheri muzikor, Bob Grace, ndërkaq pohonte se fascinimi i Bowie’t me biseksualitet prodhoi edhe afrinë e tij me Mick Jagger, të cilin e kishte idhull, dhe për të cilin ishte i bindur që ishte biseksual.
Faza e Berlinit
Në fundvitet e 70’a bëhet bashkë me Iggy Pop, dhe fillon fazën që njihet si faza e Berlinit. Dy artisët jetonin në lagjen berlinase Schöneberg, që kishte një histori naziste, dhe që njihej si vendtakim i homoseksualëve nëpër kabaretë e zonës. Bowie u fascinua, ndërsa muzika që ai dhe Pop e prodhuan gjatë atyre viteve ishte gotike, madje vampirike.
“Hitleri ishte pop-ylli i parë botëror”, thoshte Bowie. Vetëm më vonë e kuptoi, dhe e pranoi publikisht se fiksimi i tij me fashizmin ishte një periudhë e neveritshme.
Në gjysmën e viteve të 80’a gjysmë vëllai i tij, Terry, bëri vetëvrasje. Bowie i shmangej gjithmonë temës së “deles së zezë” në familje, mbase edhe për shkak se turpërohej nga ajo. Terry, i cili gati gjysmën e jetës madhore e kaloi nëpër institucione për sëmundje mendore, për Bowie’n ishte burim i vazhdueshëm i frikës dhe i anktheve. Pas vetëvrasjes së tij – që e bëri duke u shtrirë në binarë të trenit që po vinte - mediat shkruan shumë për tragjedinë familjare të Bowie. Nuk e kursyen. Madje, e portretizuan edhe si një përbindësh manipulues që s’qanë kokën për të tjerët. Pas tragjeditë, Bowie shkroi një këngë për vetëvrasjen e Terry, quhej “Jump They Say”.
Nga një planet tjetër
Ai gjithmonë nxiste një vëmendje të veçantë me mimikën brilante të fytyrës së tij. Për më tepër, edhe bashkëshortja e tij e bukur, modelja afrikane, Iman, pohon se “ishte viktimë” e po kësaj mimike, dhe se gjithmonë magjepset kur David interpreton “tinguj qesharak”. Çifti u martua më 1992, dhe që atëherë Iman ndikoi në transformimin e ri të Bowie. Ai hoqi dorë nga njeriu nga planeti tjetër, dhe përqafoi njeriun me tipare të fuqishme konvencionale, të cilat gjithmonë rrymonin brenda tij.
Megjithëkëtë, duhet theksuar se, pavarësisht këtyre detajeve “pikante”, “David Bowie: Starman”, është një libër që madhëron gjenialitetin e Bowie, dhe që depërton në filozofinë muzikore të tij.
Si i tillë, do t’ia vlente të përkthehej, shitej, dhe lexohej edhe në shqip.