E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, pa rezerva për heqjen e vizave

Mes vendeve të BE-së nuk ka rezerva për liberalizimin e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen, por disa prej tyre shpresonin që kriteret nga këto dy vende të ishin plotësuar.

Kështu ka bërë të ditur ministri spanjoll Alfredo Perez Rubalcaba, në përfundim të mbledhjes së ministrave të Brendshëm të BE, në të cilën u diskutua pikërisht cështja e heqjes së vizave.

Ndonëse ka shprehur vullnetin pozitiv të BE-së për libëralizimin e vizave, zyrtari spanjoll ka nënvizuar gjithashtu se Shqipëria e Bosnja kanë ende punë për të bërë.

“Nuk pati rezerva politike për liberalizimin e vizave, por disa vende shpresonin që kushtet të ishin plotësuar. Shqipëria dhe Bosnja kanë bërë përpjekje, por kanë ende një copë rrugë për të bërë”, ka deklaruar Rubalcaba.

Ai ka shtuar më tej se Bashkimi Evropian do të ndjekë nga afër ecurinë e dy vendeve ballkanase në përmbushjen e kritereve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›