E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“BE për shkollat”, përfundojnë së ndërtuari 38 objekte arsimore

Shkolla 9-vjeçare dhe kopështi “Rilindja” në Shijak para 3 vitesh pësoi dëmtime të rënda nga tërmeti në strukturë por edhe në kolonat mbajtëse, sot falë një financimi të BE dhe zyrës së PNUD në Shqipëri, ky institucion arsimor është rindërtuar nga e para dhe nga 12 shtatori i vitit të kaluar, 138 nxënës dhe 45 fëmijë të kopshtit i janë rikthyer institucionit të tyre arsimor me mjedise të sigurta dhe kushte bashkëkohore.

Drejtoresha e kësaj shkolle, sqaroi se institucioni edukues i ndërtuar nga themelet do t’i shërbejë një komuniteti prej 4000 mijë banorëve. Brenda godinës së shkollës ndodhet edhe kopështi i cili frekuentohet nga gjithë fëmijët e zonës.

Programi “BE për Shkollat” ka mundësuar edhe rindërtimin e kopështit “Shtojzavallet” në Shijak nga ku kanë përfituar drejtpërdrejtë 105 fëmijë dhe 6 edukatore.

Një tjetër investim nga ky program është edhe çerdhja nr.3 në Durrës. Prindërit shprehin kënaqësi që fëmijet e tyre tashme mund t’i lenë në një ambjent të sigurt.

Si sot para 3 vitesh, Bashkimi Evropian (BE) organizoi në Bruksel Konferencën  Ndërkombëtare të Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”, ku dhe mori jete Programi “BE për Shkollat”. Deri me sot ky program ka bërë të mundur ndërtimin e 38 objekteve arsimore, ndërkohë që 14 objekte të tjera janë aktualisht në proces rindërtimi apo riparimi.

/rtsh/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›