BE, përse vlejnë paketat e ndihmës financiare
Një javë pasi Bashkimi Europian mori masa drastike në lidhje me përmirësimin e tregjeve financiare përmes forcimit të mundshëm të monedhës së përbashkët euro, liderët e BE-së janë duke e përdorur krizën e borxheve për të lançuar reforma të dhimbshme. Pas javësh të dështimeve të zgjidhjes së problemit të borxhit grek, vendet e BE-së vendosën që të miratonin një paketë prej 1 trilionë dollarësh për të shpëtuar vendet problematike të eurozonës dhe mbi të gjitha stabilitetin e monedhës së përbashkët. Që nga dita e marrjes së këtyre vendimeve shtetet që kanë probleme më të mëdha me deficitet buxhetore si Spanja dhe Portugalia kanë shtrënguar rripin duke njoftuar ndërmarrjen e masave të mëtejshme të shkurtimeve të shpenzimeve të buxhetit. Ndërkaq, edhe Komisioni Europian ka ndërmarrë një sërë masash për të mbikëqyrur dhe shtrënguar më shumë disiplinë buxhetore. Në këto rrethana sipas vetë Kancelares gjermane, Angela Merkel, vendet e Eurozonës dhe vetë 27 vendet anëtare të organizatës së Bashkimit Europian janë para një prove shumë të rëndësishme ekzistenciale. “Përpara nesh ka ende shumë punë për të bërë dhe ne vetëm sapo kemi nisur një përpjekje të madhe”, ka deklaruar, një analist i famshëm europian i çështjeve financiare. Sipas tij, kriza nxori në pah nevojën për të nxitur veprimin për një bashkim politik, si dhe monetar dhe për këtë është e nevojshme një ndërmarrje cilësore. Në të shkuarën, Bashkimi Europian i ka përdorur krizat që ka kaluar për të bërë ndryshime dhe për të ndërmarrë hapa konkretë drejt përmirësimit të situatës. Pas shumë përsiatjesh dhe kundërshtish vendimet e javës së fundit duket se e kanë çuar BE-në në një drejtim të ri dhe në një bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe me Bankën Qendrore Europiane. Por sipas një pjese të madhe të analistëve, me këto masa edhe pse bëhet fjalë për sasi të mëdha parash vetëm sa është blerë kohë, por nuk i është dhënë zgjidhje problemit. E ndërkohë, kjo kohë e fituar duhet që të përdoret në një mënyrë sa më të mençur. Marrëveshjet janë domethënëse dhe mbresëlënëse, por vendimet e vërteta, ato që kanë të bëjnë me të vërtetë me zgjidhjen e krizës janë ato që duhet të merren në vendet e goditura si Portugalia, apo Spanja dhe sigurisht edhe Italia. Këto vende nuk do të shkojnë askund pa provuar dhimbje të mëdha që shkaktohen nga reduktimet e shpenzimeve dhe të benefiteve të tjera sociale. Ndërkohë, masat e marra këtë javë tregojnë edhe një situatë urgjente në të cilën janë vënë 500 milionë banorët e vendeve të Bashkimit Europian. Spanja njoftoi të mërkurën masa të reja reduktuese në të cilat bëjnë pjesë edhe ajo e reduktimit me 5% të pagave të punonjësve buxhetorë. Portugalia mori masa të ngjashme në vijim për të reduktuar deficitin buxhetor. Për sa i përket Greqisë, që ishte edhe në situatën më të rëndë, ajo ka njoftuar tashmë dy paketa shkurtimesh. Situata kishte dalë tërësisht jashtë kontrollit për sa i përket deficitit financiar në vendet e sipërpërmendura. Megjithatë, askush nuk mund të thotë me siguri se problemet e euros janë zgjidhur, madje sipas disave, ato sapo kanë filluar.
#