E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investigimi, pezullohet drejtori i Metrologjisë

“Fiks Fare” kërkonte të kalibronte kontralitrin e dy depozitave me karburant. Pezullohet edhe metrologu Shkurti e shoferi Goga

Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë ka pezulluar dje nga detyra punonjësit Lulzim Hoxha, drejtor i Drejtorisë së Metrologjisë Ligjore, Valdet Shkurti, metrolog i autorizuar dhe Joti Goga, shofer, pas investigimit të emisionit “Fiks Fare” që kërkonte të kalibronte kontralitrin e dy depozitave me karburant, i cili u realizua pas një ryshfeti nga këta punonjës. Sipas deklaratës zyrtare të DPM-së thuhet se: “Pasi u njoh me emisionin ‘Fiks Fare’ të datës 13 maj dhe fakteve që ishin servirur në atë emision shpreh shqetësimin e saj në lidhje me materialin në fjalë. Menjëherë pas transmetimit në emisionin “Fiks Fare”, ditën e sotme më 14 maj 2010 (dje. shën red), në një mbledhje urgjente të stafit drejtues të saj, konkludoi se: Ndaj punonjësve që përmenden në atë material Lulzim Hoxha, drejtor i Drejtorisë së Metrologjisë Ligjore, Valdet Shkurti, metrolog i autorizuar si dhe Joti Goga, shofer pranë DPM u vendos të merrej masa e pezullimit nga detyra deri në momentin e zbardhjes së kësaj ngjarjeje”. Specialisti në sektorin juridik dhe integrimit pranë DPM-së, Lirim Madoni, deklaroi se “Kërkojmë nga organet kompetente të zbardhin dhe të thonë fjalën e tyre të mbështetura në fakte dhe prova në një kohë sa më të shkurtër me qëllim që veprimtaria e këtij institucioni në mbrojtje të konsumatorit dhe në mbështetje të biznesit të mos përbaltet nga punonjës, individë apo kompani, pasi puna dhe ngritja e nivelit të cilësisë të shërbimit nga kjo drejtori këto vitet e fundit ka njohur vetëm rritje”.

Dy ditë më parë, emisioni investigativ “Fiks Fare” në televizionin “Top Channel” transmetoi një kronikë të zgjeruar në Drejtorinë e Metrologjisë Ligjore, duke pasqyruar se disa punonjës në këtë drejtori merrnin ryshfet për të kalibruar kontralitrin e depozitave. Gazetari i “Fiks Fare” u paraqit në Drejtorinë e Metrologjisë Ligjore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë, si punonjës i një kompanie që importon karburant dhe duhet të kalibrojë kontralitrin e depozitave. Sapo shkon në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë për të kërkuar një shërbim të tillë, të gjithë e adresojnë te drejtori Hoxha. Gazetari i “Fiks”-it takon drejtorin e Metrologjisë Ligjore dhe i thotë se ka nevojë që të kryejë matjen e kontralitrit. Ai pranon që ta kryejë këtë shërbim kundrejt një “kafeje” të majme, edhe pse është një detyrim ligjor, që kjo drejtori duhet ta kryejë një herë në 6 muaj për të gjitha depozitat e karburanteve. Takimin e dytë, drejtori i Metrologjisë Ligjore e lë pas disa ditësh. Takimi kryhet përpara ndërtesës së institucionit të Metrologjisë. Menjëherë pasi merr konfirmimin nga gazetari i “Fiks”-it se ryshfetin do ta marrë, drejtori i Metrologjisë Ligjore pranon që ta çojë enën e kalibrimit në objekt. Shumën prej 50 mijë lekësh drejtori Hoxha e merr në rrugë, pa u merakosur për kalimtarët rreth e rrotull. I fut në xhep dhe menjëherë urdhëron vartësit e tij që të nesërmen të shkojnë në Shijak, për të bërë kalibrimin e dy depozitave, për të cilat u kërkua ndihmë. Ditën kur do të bëhej matja, drejtori Lulëzim Hoxha merr edhe 46500 lekë të tjera nga gazetari i “Fiks Fare” për të kryer pagesat e faturave shtetërore, ndërkohë që nuk i jep asnjë faturë në këmbim gazetarit. Gjatë këtyre bisedave, drejtori i Metrologjisë Ligjore merr përsipër që të lerë edhe toleranca në kontralitër. Gjithçka do ta bëjnë njerëzit e tij. Ena e matjes, e shoqëruar nga dy punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, niset drejt Shijakut. Njëri prej punonjësve që do të kryente kalibrimin prezantohet si vëllai dhe shoferi personal i drejtoreshës së përgjithshme të Metrologjisë. Ata marrin përsipër që të zgjidhin çdo problem me depozitat, për të cilat kërkon ndihmë gazetari, për sa kohë ai “ka votuar te shefi”. Ena matëse niset drejt Shijakut, por “Fiks Fare” nuk kishte asnjë depozitë karburanti ku do të bëheshin matjet. Për këtë arsye, në momentin kur punonjësit e DPM-së, së bashku me enën mbërrijnë në kryqëzimin e katër rrugëve të Shijakut, gazetari i “Fiks Fare” u telefonon dhe u kërkon që të kthehen mbrapsht, duke u nxjerrë një justifikim.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›