E Diel, 1 Nëntor 2026

Martesa është shkencë!

Shtatë rregulla për një çift të lumtur Në librin e një gazetareje të “New York Times” janë shkruar të gjitha sekretet për një harmoni bashkëshortore. Duke e ditur se në natyrë gjendet edhe tradhtia, ajo këshillon se si mund të funksionojnë gjërat mes çiftit, edhe pse duhet shumë punë, energji dhe përkushtim

Cilat janë sekretet e një martese të lumtur? Si t’ia bëjmë që të analizojmë lidhjen tonë dhe të kuptojmë nëse ka ende shpresë për t’u rikthyer bashkë, apo tashmë është shumë vonë? Përgjigjja, sipas një libri të sapopublikuar në Shtetet e Bashkuara, qëndron te shkenca, ajo e aplikuar te marrëdhëniet e çiftit. Libri që titullohet “For better: the science of a good marriage”, sjell me vete sjelljen racionaliste të autores, që në këtë rast është një gazetare shkencore e “New York Times”, konkretisht Tara Parker-Pope, kuratore e rubrikës “Well”. Ajo që e shtyu të shkruajë për një argument kaq pak shkencor, ishte fundi i martesës së saj, e cila zgjati 17 vjet dhe më pas dështoi, siç u ndodh shumë personave. E duke qenë se, mes qindra manualeve të cilat flisnin për argumentin në fjalë, asnjë nuk ishte në gjendje t’i thoshte se çfarë nuk kishte shkuar ashtu siç duhej dhe përse, e për më tepër nëse do të kishte qenë e mundur të parashikonte gjithçka më parë. Ashtu siç mund të imagjinohej, në një vend ku 50 për qind e martesave përfundojnë në ndarje, libri ka tërhequr vëmendjen mediatike, duke marrë komente jo gjithmonë të mira, nga disa gazeta të mëdha amerikane.

Topi prej xhami

“Të kuptosh shkencën e martesës është njësoj si të mbash në duar një top prej xhami, i cili na lejon të parashikojmë me saktësi të mjaftueshme se cilat marrëdhënie mund të funksionojnë dhe cila shfaq vështirësi në qëndrimin me partnerin”, shkruan autorja në parathënien e librit. Duke mbledhur rezultatet e studimit shkencor bazuar në argumentin në fjalë – nga neuroshkenca tek etologjia, nga mjekësia e përgjithshme te sociologjia – Tara ka arritur të hartojë një listë për “mirëqenien e lidhjes dhe të çiftit”, e ngjashme me atë që do të na jepte një doktor për tensionin e lartë. Në fakt bëhet fjalë për një listë me shtatë strategji: disa hapa të vegjël që në teori duhet të garantojnë suksesin e një lidhjeje të fortë.

çështje strategjie

Këshilla e parë që i jepet çiftit është të organizojë së bashku një dasmë të bukur, praktikë që shkenca bashkëshortore e quan “kapitalizim”, për shembull të festoni bashkë për suksesin e njërit nga partnerëve, si fillimin e një pune të re, një fitore sportive, apo një ditë veçanërisht pozitive për ju. E dyta është t’i demonstroni partnerit se jeni krenarë për të, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra. çdo gjë ka formulën e saj matematikore dhe ja cila është strategjia e tretë. Sipas një studimi të Universitetit të Uashingtonit, pas çdo pesë gjesteve të bukura, bëhet një gabim. Në fakt, ajo për të cilën të gjithë pyesin është nëse “Martesa është vërtet matematikë?”.

Sekretet e tjera

Në vendin e katërt është renditur çështja e standardeve dhe pritshmërisë. “Të kesh nga martesa arritje të mëdha, rritet mundësia që një lidhje të ketë sukses”, thekson autorja. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është që të mos pretendoni që bashkëshorti t’iu bëjë të lumtur. Kjo sepse lumturia, në pjesën më të madhe të rasteve, është një karakteristikë e lindur e individëve. T’ia japësh këtë përgjegjësi tjetrit do të ishte një gabim i madh, njësoj sikur të mos i lejonit vetes të merrnit frymë. Pastaj janë miqtë dhe bota e jashtme: “Ndonjëherë të përmirësosh një lidhje, do të thotë ‘të bësh pak pushim’. Si? Duke forcuar lidhjet me familjen, miqtë dhe shoqërinë, por gjithmonë duke pasur parasysh rëndësinë e eksperiencave të reja dhe gjërave të bukura së bashku”. Pjesë e rëndësishme e një marrëdhënieje është edhe seksi. Ndonjëherë do të ishte mirë t’i harronit angazhimet dhe të shkonit menjëherë në shtëpi për të bërë dashuri me gruan ose burrin.

Seksi dhe monogamia

Në një libër ku rrëfehen sekretet e martesës, ky kapitull nuk kishte se si të mungonte. Duke studiuar disa zakone seksuale të kafshëve, Parker-Pope kujton monogaminë, që në natyrë është një fakt i rrallë. Vetëm pesë për qind e gjitarëve e praktikon, pavarësisht se tradhtia është universale. Megjithatë nuk mungojnë raste të veçanta, si ajo e miut të Kalifornisë, një specie pjesëtarët e së cilës arrijnë të qëndrojnë besnikë “edhe përballë tundimeve më të pamëshirshme”. Besnikë ndaj tundimit janë edhe disa lloje zogjsh e aragostash. Ajo që të duket e çuditshme është fakti se përballë një lirie të pakufishme, si është e mundur që qeniet njerëzore, para se të thonë përgjithmonë “Po, Dua!”, pyesin veten: “Vërtet kemi lindur për ta kaluar jetën vetëm përkrah një njeriu?”. Natyrisht që gjithçka varet nga jeta e personit dhe çfarë është shkruar në ADN-në e tij. Në fakt, sipas disa studimeve ka baza biologjike për tradhti, një lloj predispozicioni gjenetik që do të favorizonte më shumë disa subjekte sesa disa të tjerë.

Kuizet: Si të testojmë të tjerët

Mbështetur në ndërtimin e saj shkencor, opinionistja e “New York Times” i jep lexuesit mundësinë për t’iu nënshtruar disa kuizeve. Në libër gjenden disa, si për shembull “Cili është reagimi juaj ndaj flirteve?”, ose “çfarë doni nga partneri juaj?”, “Arsyet e zënkave tuaja?”, “Si e vlerësoni nivelin tuaj të rrezikut?”. Me pak fantazi, çiftet mund t’i nënshtrohen “testeve të shkencës bashkëshortore”. Natyrisht që ka edhe nga ato çifte që besojnë tek instinkti, megjithatë sipas autores, është gjithmonë mashkulli ai që duhet ta bindë femrën të besojë në dashuri dhe ta shpëtojë një lidhje nga shkatërrimi, edhe më shumë se një herë nëse do të ishte nevoja.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›