BE proces masiv dixhitalizimi të hartave në Kadastren Shqiptare

Kadastra Shqiptare ka nisur një proces masiv dixhitalizimi të hartave me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Përfaqësuesit e Delegacionit të BE në Tiranë vizituan Qendrën e Kadastrës Dixhitale në ASHK.
Përfaqësuesit e Delegacionit të BE u njohën nga afër me proceset e punës që realizohen në këtë Qendër, në mënyrë të veçantë me procesin e dixhitalizimit dhe skanimit të dokumentacionit dhe arkivit të pasurive të paluajtshme, proces i cili po zbatohet nga Kadastra Shqiptare me financim të Qeverisë Shqiptare.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian nëpërmjet Projektit “BE për te Drejtat e Pronësisë”, i financuar nga fondet IPA, është angazhuar për financimin e procesit të skanimit të hartave kadastrale të pasurive të paluajtshme.
Të dy këto procese komplementare do të realizojnë dixhitalizimin e plotë të të dhënave kadastrale mbi pasuritë e paluajtshme, duke i hapur rrugë përmirësimit sistematik dhe korrigjimit të gabimeve dhe mangësive mbi këto të dhëna të trashëguara ndër vite, që ndikojnë direkt si në cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve ashtu dhe në zhvillimin e tregut të pasurive të paluajtshme.
Të dyja këto projekte së bashku, parashikojnë dixhitalizimin dhe skanimin e rreth 50 milion dokumentave dhe rreth 90 mije planshetave hartografike , që mbulojnë të gjithë territorin e Republikës.
Vizita e përfaqësuesve të BE ishte në funksion të përgatitjeve për implementimin e këtij projekti madhor, ku ata u njohën me gjendjen aktuale të arkivës operative te Kadastrës, si dhe me ambientet e reja ku së shpejti do të sistemohet kjo arkivë si dhe veprimtaria e Drejtorive Vendore të Tiranës.
Drejtori i Drejtori i Përgjithshëm i ASHK Artan Lame tha se “përfundimi i këtyre dy projekteve do të pajisë më së fundi Shqipërinë me një Banke Pronash te dixhitalizuar dhe per rrjedhoje te shpejte te sakte dhe te sigurte“.
/ rtsh.al /