BE propozon “Shengen Ushtarak” – Lëvizja e trupave në BE pritet të shkurtohet në 3 ditë, ose 6 orë në emergjencë

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian pritet të kenë deri në tre ditë kohë në paqe dhe vetëm gjashtë orë në emergjencë për të lejuar kalimin e trupave dhe pajisjeve ushtarake në kufijtë e tyre, sipas një propozimi të ri për “Shengenin ushtarak”. Komisioni Europian thotë se ky plan synon të rrisë ndjeshëm lëvizshmërinë ushtarake në gjithë territorin e BE-së.
Aktualisht, procedurat janë shumë të ngadalta dhe shpesh kërkojnë javë apo edhe muaj për të miratuar një kërkesë të tillë. “Sot, për të lëvizur pajisje ushtarake dhe trupa nga perëndimi në lindje duhen muaj”, tha komisioneri për Transportin, Apostolos Tzitzikostas. Ai u shpreh se objektivi është që lëvizja të kryhet brenda disa ditësh. “Nuk mund ta mbrosh një kontinent nëse nuk mund të lëvizësh nëpër të, prandaj po krijojmë këtë Shengen ushtarak”, shtoi Tzitzikostas.
Paketa e re e Lëvizshmërisë Ushtarake do të prezantohet zyrtarisht të mërkurën. Ajo vjen si pjesë e një serie masash që synojnë forcimin e mbrojtjes së BE-së deri në fund të dekadës. Disa shërbime inteligjente evropiane paralajmërojnë se deri atëherë Rusia mund të ketë kapacitetin për të sulmuar një tjetër vend evropian.
Një nga ndryshimet kryesore të paketës është përshpejtimi i lejeve për lëvizje ushtarake ndërkufitare. Komisioni kërkon që koha e përgjigjes të unifikohet dhe të mos kalojë tre ditë në kushte normale. Ndërsa në raste emergjencash, përgjigjja duhet të jepet brenda vetëm gjashtë orësh.
Plani parashikon edhe një sistem të ri reagimi për lëvizshmërinë ushtarake, i ngjashëm me Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile, që do t’u lejojë vendeve anëtare të ofrojnë ndihmë më shpejt në situata të jashtëzakonshm.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/