Rusia intensifikon sulmet ndaj Ukrainës – Disa të vrarë e dhjetëra të plagosur nga goditjet në perëndim të vendit

Autoritetet ukrainase bënë me dije se disa persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në qytetin Ternopil nga sulmet e fundit ruse. “Në Ternopil, u goditën ndërtesa banimi shumëkatëshe. Dhjetëra njerëz janë plagosur dhe për fat të keq, nëntë persona kanë humbur jetën”- deklaroi Presidenti Volodymyr Zelensky. “Mund të ketë njerëz të bllokuar nën rrënoja- shtoi ai.
“Në valën e saj të fundit të sulmeve gjatë natës, Rusia lëshoi më shumë se 470 dronë sulmues dhe 48 raketa të llojeve të ndryshme”- theksoi Zelensky. Sipas autoriteteve lokale, sulmet ruse shkaktuan dhjetëra të plagosur edhe në rajonet e Harkivit dhe Ivano-Frankivskit.
Nga ana tjetër, ministria ruse e Mbrojtjes tha se gjetur pjesë të raketave ATACMS në territorin e saj, duke pretenduar se katër raketa të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara u rrëzuan mbi qytetin rus të Voronezh, më pak se 200 km në verilindje të kufirit ukrainas.
Sakaq presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhet në Turqi në përpjekje për të rinisur bisedimet e ngrira të paqes me Rusinë dhe gjithashtu për të kërkuar një ri angazhim të Shteteve të Bashkuara në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund pushtimit rus.
Shefi i stafit të liderit ukrainas Andrij Jermak tha se ishte në komunikim të vazhdueshëm me të dërguarin amerikan Steve Witkoff, që ende nuk ka konfirmuar nëse do të marrë pjesë në bisedimet e sotme në Turqi, megjithëse të martën u njoftua se ai pritej të ishte i pranishëm në Ankara.
Gazetare: Vjollca Zhari
/rtsh.al/