E Shtunë, 31 Tetor 2026

“BE, qeveria të presë pas zgjedhjeve”

Ambasadori i KE-së në vendin tonë, Helmut Lohan u shpreh për kohën se kur duhet të aplikojë Shqipëria për t’u bërë vend kandidat në BE. “Asgjë e keqe nuk do të ndodhte sikur të pritej deri pas zgjedhjeve të qershorit”. 

TIRANE-Zgjedhjet parlamentare në fund të qershorit do të jenë një test vendimtar për pjekurinë demokratike të Shqipërisë”. Ky është vlerësimi i bërë nga ambasadori i KE-së në vendin tonë, Helmut Lohan dje, gjatë një interviste për ‘Vizion Plus’, për kohën se kur duhet të aplikojë Shqipëria për t’u bërë vend kandidat në BE. Ai u shpreh se, “asgjë e keqe nuk do të ndodhte sikur të pritej deri pas zgjedhjeve të qershorit”. Sipas Lohan, vlerësimi mbi këto zgjedhje, nëse ato do të jenë të lira dhe të ndershme dhe nëse do të mbahen në përputhje me standardet ndërkombëtare, do të përcaktojë më së shumti vendimin që do të marrë Bashkimi Evropian. “Këto zgjedhje do të përcaktojnë vendimin nëse Shqipëria është gati që të ndërmarrë hapa të mëtejshme drejt integrimit europian”, - u shpreh Lohan. Ambasadori i KE-së shprehet se gjithsesi, në fund të fundit, i takon Shqipërisë të vendosë se kur është çasti i duhur për të bërë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke mos lënë të kuptohet se ky vendim duhet të merret në përputhje me konsultimet që do të kryhen me vendet anëtare të BE-së. “Qeveria shqiptare, në shumë raste e ka bërë të qartë se do ta marrë këtë vendim duke u konsultuar me vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe me Komisionin Europian”, - u shpreh Lohan. Ambasadori i KE-së tregon edhe pasojat që mund të ketë vendi ynë në rast se do të aplikojmë në një moment të tillë para zgjedhjeve parlamentare. Ai bëri të ditur se për një farë kohe, mund të mos ketë fare ndonjë reagim nga ana e Bashkimit Europian. Lohan shpjegoi procedurat që do të ndiqen pas këtij aplikimi. “Janë vendet anëtare të Bashkimit Europian ata që do të merren me aplikimin, me fjalë të tjera; do të jenë ata që do të vendosin kur do t’i kërkojnë formalisht, Komisionit Europian të përgatisë një opinion mbi aplikimin”, - u shpreh Lohan.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›