E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE refuzon Bullgarinë e Rumaninë në "Shengen"

LUKSEMBURG-Bashkimi Evropian ka vendosur që Bullgaria dhe Rumania të mbeten jashtë zonës Shengen, edhe pse dy anëtaret e Bllokut i kanë plotësuar standardet e kërkuara teknike.

Ministrat e Punëve të Brendshme të BE-së i kanë refuzuar ato, një ditë pasi Parlamenti Evropian ka miratuar gatishmërinë e Sofjes dhe të Bukureshtit për t’u përfshirë në hapësirën pa viza., raportoi agjencia e lajmeve Radio Europa e Lirë.

Kundër këtij vendimi ka qenë Holanda, e cila ka shprehur dyshimin nëse këto dy vende janë mjaft të forta për të garantuar një kontroll efektiv të kufijve të jashtëm të BE-së.

SHTYHET ANËTARËSIMI I RUMANISË E BULLGARISË NË "SHENGEN"
Ora 10:42 Ministrat e Brendshëm të BE-së do të shtyjnë zgjerimin e zonës Shengen për një periudhë të pacaktuar, pavarësisht kundërshtimeve të Parlamentit Europian, i cili votoi në mënyrë dërrmuese në favor të pranimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në hapësirën pa kufij të Bashkimit Europian (BE).

Franca, Gjermania, Finlada, Suedia, Holanda dhe Belgjika janë kundër hyrjes së Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen, pavarësisht se dy vendet kanë përmbushur kriteret teknike për pranimin, ka mësuar EurActiv, portali online i Bashkimit Europian;

Pranimi në zonën Shengen të Bullgarisë dhe Rumanisë është në axhendën e takimeve të ministrave të drejtësisë të BE dhe të takimit të ministrave të brendshëm që mbahet sot dhe nesër në Luksemburg.
Por ministrat pritet të shtyjnë vendimin e tyre për një periudhë të pacaktuar, edhe pse PE votoi dje me 487 vota pro, 77 vota kundër e 29 abstenim pranimin e dy shteteve në zonën Shengen.

Qeveria e Holandës do të shprehet në vitin 2012 mbi kërkesat për anëtarësimin e Bullgarisë dhe të Rumanisë në Schengen, hapësira pa kufij e Bashkimit Europian (BE), pas një periudhe prove për të dy vendet” ka thënë sot ministri holandez i Imigracionit, Gerd Leers, citon AFP. Sipas tij “Është shumë herët për të marrë një vendim dhe kjo padyshim do të marrë pak kohë para se ne të jemi në gjendje ta bëjmë".

Për hyrjen e një anëtari të ri në Schengen kërkohet një vendim unanim i 26 shteteve anëtare të hapësirës.
Tre vende të BE-së, Britania e Madhe, Irlanda dhe Qiproja janë jashtë kësaj hapësire, por në të janë anëtarësuar Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtejni, vende joanëtare të BE-së.
(s.g/e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›