BEJRUT – Marrëveshja detare Liban-Qipro hap rrugën për eksplorimin e gazit në det të hapur

BEJRUT, 26 nëntor /ATSH/- Libani dhe Qiproja nënshkruan sot një marrëveshje të shumëpritur për demarkacionin detar, duke hapur rrugën për eksplorimin e mundshëm të fushave të gazit në det të hapur dhe bashkëpunimin energjetik në Mesdhe, sipas “Reuters”.
Presidenti libanez, Joseph Aoun dhe presidenti qipriot, Nikos Christodoulides nënshkruan marrëveshjen në pallatin presidencial të Libanit dhe u thanë gazetarëve se kjo do të sinjalizonte një bashkëpunim më të thellë midis Libanit, Qipros, anëtare e Bashkimit Evropian, dhe BE-së më të gjerë.
“Kjo është një marrëveshje historike, që përfundon një çështje të pezulluar prej shumë vitesh dhe tani presim me padurim atë që vendet tona mund të krijojnë së bashku”, tha Christodoulides.
Qiproja dhe Libani arritën një marrëveshje paraprake që përcaktonte zonat e tyre detare në det të hapur në vitin 2007, por pati vonesa në ratifikimin e saj nga parlamenti libanez.
Ministri libanez i Energjisë, Joseph Saddi vizitoi Qipron, muajin e kaluar për të diskutuar bashkëpunimin energjetik, pasi kabineti libanez miratoi një marrëveshje që përcaktonte kufijtë detarë të dy vendeve.
Libani dhe Izraeli përcaktuan kufijtë e tyre detarë në vitin 2022, sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.
Marrëveshja e sotme, e lë Sirinë fqinje si vendin e fundit me të cilin Libani ende nuk ka përcaktuar kufirin e tij detar.
Libani shpreson se zbulimet e gazit dhe naftës në det të hapur mund të ndihmojnë në gjenerimin e të ardhurave shtetërore dhe aktivitetit ekonomik – për të përmbysur një kolaps financiar të vitit 2019 – që ka përkeqësuar mungesat e energjisë elektrike disa prej kohësh. //a.i/