E Diel, 1 Nëntor 2026

FRANCË – Gjykata rrëzon ankimin e Sarkozy: Dënimi është përfundimtar

PARIS, 26 nëntor /ATSH/- Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy është dënuar për financim të paligjshëm të fushatës zgjedhore – në përpjekjen e tij të dështuar për rizgjedhje në vitin 2012, pasi gjykata më e lartë e vendit hodhi poshtë apelin e tij të fundit, sipas “The Guardian”.

Sarkozy, i cili ishte presidenti i krahut të djathtë i vendit midis viteve 2007 dhe 2012, u dënua për fshehjen e shpenzimeve të paligjshme për fushatën e tij të pasuksesshme për rizgjedhje, e cila u formësua nga tubime të mëdha në stilin amerikan.

Çështja u etiketua si çështja “Bygmalion” për shkak të emrit të kompanisë së eventeve që organizoi koncertet e filmuara me mjeshtëri të Sarkozy në stadium – para mijëra mbështetësve që valëvitnin flamuj, kur ai po luftonte për rizgjedhje.

Në fund, Sarkozy humbi ndaj François Hollande të Partisë Socialiste.

Në një gjyq të vitit 2021, prokurori i shtetit theksoi qëndrimin indiferent të Sarkozy –  i cili organizoi tubime në formën e shfaqjeve të mëdha “në stilin amerikan” dhe duke lejuar që kostot të rriteshin ndjeshëm mbi limitin ligjor për një fushatë zgjedhore presidenciale.

Prokuroria tha se kontabilistët e kishin paralajmëruar Sarkozy se po kalonte kufirin zyrtar të shpenzimeve prej 22,5 milionë eurosh.

“Shpenzimet e fushatës së Sarkozy arritën në të paktën 42,8 milionë euro, pothuajse dyfishi i limitit ligjor”, thanë prokurorët.

Sarkozi, i cili mohoi të gjitha shkeljet, paraqiti një proces ankimi që zgjati disa vjet.

Gjykata më e lartë e Francës, Cour de Cassation, e cila përqendrohet në atë nëse ligji është zbatuar saktë dhe jo në faktet e çështjes, tani ka mbështetur një vendim të mëparshëm, duke e bërë dënimin e Sarkozy përfundimtar.

Sarkozi, i cili u lirua nga burgu në fillim të këtij muaji, tani do të duhet të vuajë dënimin e tij.

Ai u dënua në apel me një vit burgim, gjysma e të cilit ishte me kusht.

Ky dënim gjashtëmujor mund të kryhet përmes mjeteve të tilla si, mbajtja e një gjurmuesi elektronik, pa shkuar në burg.

Sarkozy është përballur me një sërë sfidash ligjore që kur u largua nga detyra.

Ai po apelon kundër dënimit të tij për konspiracion kriminal mbi një skemë për marrjen e fondeve të fushatës zgjedhore për përpjekjen e tij presidenciale të vitit 2007 nga regjimi i diktatorit të ndjerë libian, Muammar Gaddafi.

Ky është dënimi që në tetor rezultoi në dërgimin e tij në burgun “La Santé” në Paris, ku kaloi 20 ditë, një përvojë që ai e përshkroi si “të rraskapitëse” dhe një “makth”. Ai u lirua më 10 nëntor. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›