BERLIN – Gjermania dhe Jordania kërkojnë më shumë ndihma për Gazën

BERLIN, 25 nëntor /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, dhe homologu i tij jordanez, Ayman al-Safadi, bënë sot thirrje që qeveria izraelite të lejojë më shumë ndihma humanitare për Rripin e Gazës.
Gjatë një takimi mes dy diplomatëve në Berlin, Wadephul theksoi mungesën e tendave dhe pajisjeve mjekësore në Gazë, gjashtë javë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas.
Al-Safadi tha se, megjithëse situata humanitare në territor është përmirësuar, ajo mbetet shumë e vështirë. Më shumë se 90% e popullsisë ka nevojë për ndihma humanitare për të mbijetuar, duke bërë apel ndaj Izraelit që të respektojë armëpushimin.
Wadephul tha se një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e miratuar javën e kaluar për të siguruar planin e paqes për Gazën, duhet të zbatohet shpejt.
“Duhet të merren vendime se si institucionet e mandatuara nga OKB-ja mund të sigurojnë stabilitetin në Gaza, përfshirë edhe çarmatimin e planifikuar të Hamasit”, tha ai.
“Shpejtësia është thelbësore për shkak të rrezikut që Rripi i Gazës të ndahet në një pjesë të kontrolluar nga ushtria izraelite dhe një tjetër ku Hamas po fiton gjithnjë e më shumë force”, shtoi Wadehpul.
“Ne nuk duhet të lejojmë që Hamas të vazhdojë të konsolidojë pushtetin këtu pa u shqetësuar”, kërkoi ai.
Deklaratat e Wadephul vijnë një ditë pas konfirmimit se Kkancelari Friedrich Merz do të vizitojë Izraelin për herë të parë para fundit të vitit. /Ad.Ab./