BERLIN – Gjermania premton 150 milionë euro të tjera për blerjet e armëve amerikane për Kievin

BERLIN, 14 nëntor /ATSH-DPA/- Gjermania do të kontribuojë të paktën 150 milionë euro për blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane për Ukrainën, tha sot ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ndërsa priti homologët evropianë për bisedime në Berlin.
Takimi i “Grupit të Pesë” përfshinte ministrat e Mbrojtjes të Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Polonisë, si dhe diplomaten më të lartë të BE-së, Kaja Kallas.
Një çështje e rëndësishme në rendin e ditës ishte ruajtja e mbështetjes për Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër Rusisë, ku takimit iu bashkua nëpërmjet videos edhe ministri i Mbrojtjes të Ukrainës, Denys Shmyhal.
Pistorius tha se presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet ta bëjë dimrin sa më të padurueshëm për popullsinë ukrainase përmes sulmeve të vazhdueshme, duke synuar të thyejë vullnetin e popullit ukrainas për të rezistuar.
Ministrat ranë dakord për blerje të mëtejshme të pajisjeve ushtarake sipas skemës së Listës së Kërkesave me Përparësi të Ukrainës (PURL) të NATO-s, e cila synon t’i ofrojë Kievit armë të prodhuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Iniciativa ishte një përgjigje ndaj kërkesave publike të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që vendet evropiane të rrisin angazhimin e tyre ndaj Ukrainës në vend që të mbështeten te Uashingtoni.
Paketa e fundit vjen një ditë pasi vendet nordike dhe baltike njoftuan një angazhim të përbashkët prej 500 milionë dollarësh për të blerë pajisje dhe municione ushtarake amerikane për Kievin.
Në një shenjë shqetësimi evropian mbi të ardhmen e aleancës transatlantike, formati i Grupit të Pesë vendeve u krijua pas fitores zgjedhore të Donald Trump vitin e kaluar, me qëllim përforcimin e gatishmërisë evropiane për sigurinë dhe mbrojtjen.
Debati mbi angazhimin e Uashingtonit ndaj NATO-s është vendosur në heshtje kryesisht që kur anëtarët ranë dakord të rrisnin objektivat e shpenzimeve të mbrojtjes në Hagë në qershor. //a.i/