E Martë, 3 Nëntor 2026

BERLIN – Merz do të takohet me Trump në Shtëpinë e Bardhë

BERLIN, 31 maj /ATSH-DPA/- Kancelari i ri gjerman Friedrich Merz do të takohet të enjten me presidentin e SHBA-së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, tha sot zëdhënësi i qeverisë Stefan Kornelius në Berlin.

“Gjatë vizitës së Merz në Uashington janë planifikuar një takim midis dy udhëheqësve në Shtëpinë e Bardhë, një drekë e përbashkët dhe një konferencë për shtyp”, tha ai.

Ky është takimi i parë midis dy liderëve – që kur Merz mori detyrën më 6 maj.

Përpara kësaj, ata ishin takuar shkurtimisht me njëri-tjetrin shumë vite më parë në Nju Jork.

“Merz do të niset në Uashington të mërkurën në mbrëmje pas një darke me kryeministrat e 16 shteteve federale të Gjermanisë në Berlin”, tha Kornelius.

“Në konferencën e kryeministrave të shteteve të enjten, ai do të përfaqësohet nga shefi i tij i stafit, Thorsten Frei”, shtoi ai.

“Trump do ta akomodojë kancelarin gjerman në shtëpinë e tij të mysafirëve, “Blair House”, pranë Shtëpisë së Bardhë – një nder i veçantë”, tha Kornelius.

Bisedimet në Uashington pritet të përqendrohen në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, përgjigjen e NATO-s ndaj kërcënimeve të jashtme në rritje dhe mosmarrëveshjen tregtare midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Megjithatë, çështja kryesore është nëse të vendet mund të krijojnë një raport të mirë në të ardhmen. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›