E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BERLIN – Pistorius: 5% e PBB-së për mbrojtjen është e papërballueshme

BERLIN, 3 shkurt /ATSH-DPA/ – Kërkesat e presidentit amerikan, Donald Trump që anëtarët e NATO-s të shpenzojnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen janë të papërballueshme, deklaroi sot ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

“Ne nuk duhet të hidhemi në lumë nëse këtë na e kërkon Donald Trump”, i tha Pistorius transmetuesit publik gjerman ZDF.

”Megjithatë, Europa duhet të jetë e përgatitur të shkojë përtej objektivit aktual të NATO-s për të shpenzuar 2% të PBB-së për mbrojtjen, në përgjigje të provokimeve të presidentit rus, Vladimir Putin”, u shpreh ministri.

“Duke pasur parasysh kërcënimin e ri që sjell Putini, është krejtësisht e qartë se 2% nuk mund të jetë e mjaftueshme. Duhet të jetë shumë më tepër”, shtoi ai.

Udhëheqësit e BE do të mblidhen sot në Bruksel për të diskutuar politikën e mbrojtjes, me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte të pranishëm gjithashtu.

Komentet e ministrit gjerman vijnë pasi Rutte i bëri thirrje Gjermanisë që të zgjerojë shpenzimet e saj ushtarake.

“Ne duhet të përgatitemi për luftë. Kjo është mënyra më e mirë për të shmangur luftën”, i tha Rutte tabloidit gjerman ”Bild”./  /i.s/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›