SHBA – Trump kërcënon të shkurtojë fondet për Afrikën e Jugut lidhur me politikën e saj të tokës

UASHINGTON, 3 shkurt /ATSH/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se do të shkurtojë të gjitha fondet e ardhshme për Afrikën e Jugut pasi ajo po konfiskonte toka dhe trajtonte shumë keq klasa të caktuara njerëzish, sipas BBC.
Muajin e kaluar, Presidenti Cyril Ramaphosa nënshkroi në ligj një projektligj që lejon sekuestrimin e tokës pa kompensim në rrethana të caktuara.
Pronësia e tokës ka qenë prej kohësh një çështje e diskutueshme në Afrikën e Jugut me shumicën e tokave bujqësore private në pronësi të njerëzve të bardhë, 30 vjet pas përfundimit të sistemit racist të aparteidit.
Ka pasur thirrje të vazhdueshme që qeveria të adresojë reformën e tokës dhe të merret me padrejtësitë e së kaluarës të ndarjes racore.
“Afrika e Jugut është një demokraci kushtetuese që është e rrënjosur thellë në sundimin e ligjit, drejtësinë dhe barazinë. Qeveria e Afrikës së Jugut nuk ka konfiskuar asnjë tokë”, u përgjigj Ramaphosa në një deklaratë në X.
Në debat është përfshirë edhe Elon Musk, i cili ka lindur dhe është rritur në Afrikën e Jugut dhe tani është këshilltar i Trump.
“Pse keni ligje të pronësisë haptazi raciste?”, pyeti Musk presidentin Ramaphosa në një postim në X.
Të dielën, Trump shkroi në platformën e tij të mediave sociale Truth Social se “unë do të ndërpres të gjitha fondet e ardhshme për Afrikën e Jugut derisa të përfundojë një hetim i plotë i kësaj situate!”.
Ai më vonë tha se “udhëheqja e Afrikës së Jugut po bën disa gjëra të tmerrshme, gjëra të tmerrshme”.
Ramaphosa tha se i vetmi financim që mori Afrika e Jugut nga SHBA ishte përmes iniciativës shëndetësore ”Pepfar”, e cila përfaqësonte “17% të programit të HIV/Aids të Afrikës së Jugut”.
Sipas të dhënave të qeverisë amerikane, SHBA-ja ndau rreth 440 milion dollarë ndihma për Afrikën e Jugut në vitin 2023.
Presidenti i Afrikës së Jugut theksoi se qeveria nuk kishte konfiskuar asnjë tokë.
Megjithatë, disa kritikë kanë shprehur frikën se ligji mund të ketë pasoja katastrofike si në Zimbabve, ku konfiskimet e tokës shkatërruan ekonominë dhe trembën investitorët.
Trump goditi gjithashtu Afrikën e Jugut gjatë mandatit të tij të parë si president i SHBA, duke i kërkuar sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo që të studionte “konfiskimet dhe shpronësimet e fermave të vendit dhe vrasjen në shkallë të gjerë të fermerëve”.
Në atë kohë, Afrika e Jugut akuzoi Trumpin për përçarje./ a.jor.