BERLIN – Pistorius: Gjermania dhe aleatët po punojnë për garancitë e sigurisë në Ukrainë

BERLIN, 19 gusht /ATSH-DPA/- Gjermania dhe partnerët e saj po punojnë me përkushtim të plotë mbi detajet e garancive të besueshme të sigurisë për Ukrainën, tha sot ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
“Shkalla e kontributit gjerman në garancitë e sigurisë ende nuk është vendosur dhe do të duhet të përcaktohet politikisht dhe ushtarakisht”, tha Pistorius – pasi anëtarët e Bundestag-ut u informuan mbi statusin quo.
“Së pari, do të marrim në konsideratë progresin e negociatave, së dyti një kontribut të mundshëm nga SHBA-ja dhe së treti konsultimet me partnerët tanë më të ngushtë”, vazhdoi Pistorius.
“Sigurisht, duhet të shqyrtohet edhe gatishmëria e Rusisë për të arritur një zgjidhje paqësore”, shtoi ai.
Që nga fundjava, diskutimet rreth kontributit të Gjermanisë edhe me një forcë paqeruajtëse në Ukrainë kanë fituar vrull.
Garancitë e sigurisë kundër sulmeve të mëtejshme ruse shihen si një parakusht themelor që Ukraina të bëjë lëshime territoriale në negociata.
“Qeveria gjermane është e vetëdijshme për përgjegjësinë e saj në Evropë këto ditë”, tha Pistorius.
“Gjermania ka qënë mbështetësja e dytë më e madhe e Ukrainës, në aspektin e mbrojtjes ajrore dhe marrjen e përgjegjësive politike”, theksoi ai.
Ai iu referua gjithashtu kontributeve gjermane në blerjen e armëve amerikane për Ukrainën dhe trajnimin e më shumë se 21 000 ushtarëve ukrainas.
“Tani për tani është e qartë se na duhet një Ukrainë e fortë – në mënyrë që të mund të veprojë me besim në këto negociata të vështira. Vetëm në këtë mënyrë – procesi aktual mund të çojë në një zgjidhje paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë”, tha Pistorius. //a.i/