E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vendimi për pallatin ku do të vendosej ASHK, Bardhi: Gjyqtarët zbatojnë rregullat që miraton qeveria

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh sot se “gjyqtarët e prokurorët e Republikës nuk miratojnë rregulla, por janë të detyruar të zbatojnë rregullat që miraton qeveria e Kuvendi”.

Bardhi reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, lidhur me vendimin e gjyqtarit Hazbi Balliu, i cili një pallat të konfiskuar e kaloi në favor të ndërtuesit të paligjshëm.

“Edi Rama paska pyetur sot ‘se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të Republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit dhe të gjykatës Balliut’. Dikush duhet t’i kujtojë që vetë ai s’ka akses në trurin e tij, sa kohë nuk kujton që ka firmosur vetë vendimin e qeverisë nr. 589, datë 7.9.2022, që favorizon ndërtuesit e paligjshëm dhe ligjëron antishtetin”, u shpreh Bardhi.

Më herët sot, kryeministri Edi Rama reagoi lidhur me vendimin e gjyqtarit Hazbi Balliu, për një pallat të ndërtuar pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku ishte vendosur Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Rama e konsideroi vendimin “skandaloz”, ndërsa u shpreh se gjyqtari merr në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›