Lëvizte në kundërvajtje, gjobitet dhe i pezullohet patenta policit në Pogradec

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Korçë reagoi sot pas një videoje të postuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një automjet policie duke lëvizur në kah të kundërt të drejtimit të lëvizjes, në qytetin e Pogradecit.
Përmes një njoftimi për shtyp, Policia e Korçës bëri të ditur se për shkeljen e kryer, bazuar në Kodin Rrugor, drejtuesi i automjetit, shtetasi Th. K., punonjës policie i DVP Korçë, është ndëshkuar me masën administrative 10 000 lekë, i është pezulluar leja e drejtimit për 3 muaj dhe janë zbritur 6 pikë nga leja e drejtimit.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit.
/m.m/r.e/