FOKUS – Rusia mirëpret vendimin amerikan që lejon eksportet e naftës

UASHINGTON, 18 prill /ATSH-DPA/ – Moska e ka mirëpritur vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të dhënë një përjashtim të ri të përkohshëm nga sanksionet për naftën ruse, në një kohë kur çmimet e energjisë janë rritur për shkak të luftës me Iranin.
“Shumë vende, përfshirë SHBA-në, e kuptojnë rëndësinë vendimtare dhe sistemike të naftës dhe gazit rus për stabilitetin e tregjeve globale”, shkroi në Telegram Kirill Dmitriev, i dërguari i Kremlinit për marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare.
Sipas tij, heqja e përkohshme e sanksioneve do të shkaktojë “histeri te luftënxitësit në BE dhe në Britaninë e Madhe”, pas njoftimit të djeshëm nga Departamenti amerikan i Thesarit.
Vendet e industrializuara perëndimore kishin vendosur sanksione ndaj Moskës pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Përjashtimi i ri amerikan autorizon dorëzimin dhe shitjen e naftës bruto dhe produkteve të naftës me origjinë ruse, të ngarkuara në anije që nga dita e premte.
Ai do të jetë në fuqi deri më 16 maj.
Me këtë lëvizje, Uashingtoni synon sërish të qetësojë tregjet globale të energjisë.
SHBA-ja kishte dhënë një përjashtim të ngjashëm edhe në mes të marsit, i cili skadoi më 11 prill.
Kritikët thonë se kjo masë forcon financiarisht Rusinë, pasi Kremlini përdor të ardhurat nga industria e naftës për të financuar luftën kundër Ukrainës.
Sanksionet amerikane kanë shënjestruar sektorin energjetik rus prej vitesh, ndërsa vendet dhe kompanitë që bëjnë biznes me Moskën rrezikojnë zakonisht të bëhen vetë objekt sanksionesh./ Ad.Ab./ a.jor.