E Enjte, 5 Nëntor 2026

BERLIN – Scholz takohet me aktivistin e liruar rus Vladimir Kara-Murza

BERLIN, 3 shtator /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Olaf Scholz u takua me aktivistin ruso-britanik dhe kundërshtarin e Kremlinit, Vladimir Kara-Murza, i cili u lirua nga robëria ruse muajin e kaluar në një shkëmbim të madh të të burgosurve.

“Unë admiroj forcën dhe guximin e Vladimir Kara-Murza dhe angazhimin e tij të palodhshëm për një të ardhme demokratike për Rusinë,” tha sot Scholz në një postim në X.

“Ne siguruam lirimin e tij gjatë shkëmbimit të të burgosurve në gusht dhe sot patëm mundësinë të bisedonim me njëri-tjetrin për një periudhë më të gjatë kohore”, Scholz pas takimit në Berlin.

Kara-Murza është një nga më shumë se 20 të burgosurit që u liruan në fillim të gushtit në një shkëmbim të paprecedentë të të burgosurve midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera perëndimore.

Pas lirimit, ai fillimisht udhëtoi në Gjermani. Presidenti amerikan Joe Biden e priti më vonë në Uashington.

42-vjeçari është një nga figurat më të shquara të opozitës në Rusi. Ai u dënua me 25 vjet burg atje në prill 2023 me akuzën e tradhtisë së lartë.

“Shkëmbimi i 1 gushtit ka treguar se bota e lirë kujdeset dhe se, në kundërshtim me stereotipin, ka ende vend për mirësjellje dhe vlera në politikën ndërkombëtare,” shkroi Kara-Murza.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›