BERLIN – Wadephul : Gjermania e gatshme të marrë rol më të madh në NATO

BERLIN, 21 maj /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul theksoi gatishmërinë e Berlinit për të marrë më shumë përgjegjësi drejtuese në NATO, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës po planifikojnë të tërheqin mijëra trupa nga Evropa.
“Qëllimi ynë është një marrëveshje e re për ndarjen e barrës, që pasqyron potencialin ekonomik dhe ushtarak të Gjermanisë dhe Evropës”, deklaroi ai sot përpara takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Helsingborg.
“Gjermania po e pranon përgjegjësinë e saj udhëheqëse”, tha Wadephul.
Sipas tij, Berlini synon të arrijë sa më shpejt objektivin e NATO-s për shpenzime në mbrojtje prej 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, si dhe forcimin përkatës të kapaciteteve mbrojtëse.
Në samitin e NATO-s të vitit 2025, aleanca ra dakord që vendet anëtare të investojnë të paktën 3,5% të PBB-së në mbrojtje. Një tjetër 1,5% do të dedikohet për shpenzime të lidhura me mbrojtjen, si infrastruktura, duke e çuar objektivin total në 5% në vit deri në vitin 2035.
SHBA-ja ka kërkuar prej kohësh një ndarje më të drejtë të barrës financiare brenda aleancës, duke argumentuar se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi në mënyrë që Uashingtoni të përqendrohet më shumë te sfidat që paraqet Kina.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi së fundmi se 5 000 ushtarë amerikanë do të tërhiqen nga Gjermania. Gjithashtu ka pasur paqartësi lidhur me zbatimin e planit për dislokimin e mijëra trupave amerikane në Poloni.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet t’i bashkohet takimit të nesërm në Suedi.
Përveç forcimit të mbrojtjes evropiane, ministrat do të diskutojnë edhe luftën në Iran dhe bllokadën në Ngushticën e Hormuzit.
“Gjermania është e gatshme të ndihmojë Uashingtonin duke luajtur një rol aktiv në përpjekjet ndërkombëtare për garantimin e sigurisë së kësaj rruge strategjike për furnizimet globale me energji”, ritheksoi Wadephul./ /Ad.Ab/ a.jor.